Kryeministri Albin Kurti ka zbuluar prapaskenat e bisedimeve me liderët opozitarë për çështjen e presidentit, duke treguar se sa larg ka shkuar për të gjetur një zgjidhje.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Kurti deklaroi se opozita nuk erdhi me asnjë propozim në tryezë, duke e detyruar atë që të merrte rolin e propozuesit, madje edhe për emra nga radhët e vetë partive të tyre.
“Duhej të përmendja emra me cyt imagjinatën që biseda të bëhej konkrete. Unë përmendja emra në takime, ata s’kanë përmendur. Kam përmendur emra edhe të atyre partive. Më shumë se kaq s’mundem”, u shpreh Kurti.
Sipas kryeministrit, opozita kishte mundësinë të sillte tre emra dhe të siguronte një proces konsensual, por mungesa e vullnetit të tyre po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja.









