Leonard Ademaj falënderon institucionet, mediat dhe qytetarët për solidaritetin pas vrasjes së motrës së tij.
Vëllai i së ndjerës Liridona Ademaj, Leonard Ademaj, ka shprehur mirënjohje të thellë për të gjithë ata që qëndruan pranë familjes së tij pas ngjarjes tragjike që tronditi vendin.
Në një mesazh publik, ai përshkroi dhimbjen e madhe që përjeton një familje kur përballet papritur me humbjen e një vajze apo motre, duke theksuar se pikëllimi është i papërshkrueshëm dhe i rëndë për t’u përballuar.
Ademaj vlerësoi lart solidaritetin e qytetarëve dhe rolin e institucioneve në trajtimin e rastit, duke thënë se ndonëse dhimbja mbetet, familja ndjehet disi më e lehtësuar pas dënimit të autorëve.
Ai falënderoi mediat dhe gazetarët për raportimin profesional dhe etik, si dhe publikun për mbështetjen e madhe përmes mesazheve dhe komenteve nga e gjithë bota. Po ashtu, mirënjohje të veçantë shprehu për hetuesit, policinë, prokurorinë dhe gjykatën për punën dhe profesionalizmin e treguar.
Në mënyrë të veçantë, ai falënderoi avokatin Leutrim Syla për përfaqësimin dhe përkushtimin e tij, si dhe aktivisten Flutura Kusari për mbështetjen e vazhdueshme ndaj familjes.
Në fund, Ademaj bëri thirrje që femicidi të marrë fund në Kosovë, duke theksuar se asnjë vajzë apo grua nuk duhet të përballet me dhunë apo vrasje dhe se familja e tij është e gatshme të mbështesë çdo iniciativë që synon ndalimin e kësaj dukurie.









