Çështja e aksidentit tragjik që i mori jetën futbollistit portugez Diogo Zhota dhe vëllait të tij, Andre Silva, është mbyllur në aspektin penal nga autoritetet spanjolle. Sipas vendimit të organeve të drejtësisë, nuk është konstatuar asnjë përgjegjësi penale lidhur me ngjarjen.
Gjykata e provincës së Zamorës, në veriperëndim të Spanjës, ka bërë të ditur se aksidenti i ndodhur më 3 korrik 2025 në autostradën A-52, pranë zonës së Cernadillës, është shkaktuar nga shpërthimi i një gome të automjetit.
Sipas të dhënave zyrtare, automjeti luksoz tip “Lamborghini”, i drejtuar nga Zhota, ka dalë nga rruga gjatë një manovre parakalimi. Më pas, makina është përplasur me ndarësen e rrugës dhe ka shpërthyer në flakë.
Pas analizës së plotë të provave dhe ekspertizave të specialistëve të aksidenteve rrugore, Gjykata e Lartë e Drejtësisë së Castilla y León vendosi të mos iniciojë ndjekje penale.
Hetimi për çështjen u mbyll në muajin nëntor, pa identifikuar elementë të neglizhencës kriminale apo përgjegjësi të ndonjë pale të tretë.
Megjithatë, autoritetet theksojnë se mungesa e përgjegjësisë penale nuk përjashton mundësinë e ndjekjes së rrugëve civile. Familjarët e viktimave mund të kërkojnë dëmshpërblim përmes padive civile, nëse e shohin të arsyeshme.
Dy vëllezërit po udhëtonin drejt Santanderit, nga ku planifikonin të merrnin një traget për në Mbretërinë e Bashkuar. Diogo Zhota pritej të rikthehej te Liverpuli për përgatitjet parasezonale.
Sipas raportimeve, futbollisti kishte zgjedhur të udhëtonte me makinë pas këshillës mjekësore për të shmangur fluturimet, për shkak të një operacioni të fundit në mushkëri.
Ngjarja tragjike ndodhi vetëm 11 ditë pasi Zhota ishte martuar me partneren e tij, Rute Kardozo, në Porto. Ceremonia mortore për dy vëllezërit u zhvillua në Gondomar, me pjesëmarrjen e familjarëve, miqve dhe gjithë skuadrës së Liverpulit.









