Detaje të reja dalin në dritë për skandalin që shpërtheu në Itali, duke përfshirë futbollistë dhe sportistë të njohur në një rrjet eskortash luksoze, me pjesëmarrjen e tyre në festa ekskluzive në destinacione elitare si Mykonos dhe Karaibet.
Çështja po hetohet nga Prokuroria e Milanos, pasi aty ndodhej selia e kompanisë që shërbente si mbulesë. Sipas dokumenteve gjyqësore të cituara nga gazeta italiane Gazzetta dello Sport, hetuesit zbuluan mënyrën se si funksiononte rrjeti që organizonte takime ekskluzive kundrejt pagesave të larta, duke garantuar privatësi për një klientelë të përbërë kryesisht nga sportistë, persona të famshëm dhe biznesmenë me të ardhura të larta.
Nga hetimet rezulton se “paketat” e ofruara ndryshonin në varësi të nivelit të ekskluzivitetit të kërkuar: fillimisht përzgjidhej klubi i natës, më pas tipi i tavolinës dhe në fund modelet ose shoqërueset, ku çdo element kishte një çmim të përcaktuar.
Për një tavolinë me pesë persona, kostoja mund të arrinte deri në 10 mijë euro, duke përfshirë praninë e vajzave dhe organizimin e të gjithë festës. Për aktivitete shtesë pas eventit kryesor kërkoheshin pagesa të tjera.
Organizatorët shfrytëzonin praninë e vetë futbollistëve për të tërhequr klientë të rinj, duke promovuar pjesëmarrjen e “këtij apo atij” ylli si një formë marketingu, përveç reklamimit tradicional nga goja në gojë që përdoret zakonisht në këto rrethe.
Hetuesit theksojnë se kërkesat për shërbime varionin nga shoqërim i thjeshtë dhe diskret deri te takime seksuale në hotele ose ambiente të tjera private.
Sipas hetimit, rrjeti përfshinte rreth 100 vajza, kryesisht të reja italiane dhe të huaja, disa prej të cilave ishin të regjistruara si studente dhe mbështeteshin financiarisht nga familjet e tyre. Ato rekrutoheshin përmes katalogëve që përmbanin foto, profile në Instagram dhe çmime për çdo shërbim.
Disa prej tyre pranonin të merrnin pjesë si “vajza imazhi” në festa, me perspektivën për oferta të tjera pune të paguara në të ardhmen.

Sipas dëshmisë së një denoncueseje të publikuar nga gazeta, organizata u shpërndante pjesëmarrëseve zarfe me para në dorë, në varësi të aktivitetit, vendit të qëndrimit apo akomodimit të përfshirë.
Pagesa varionte nga 70 deri në 100 euro për natë në rastet kur qëndronin në të ashtuquajturën “dhoma e Cinisello”, por në çdo rast kjo shumë ishte e ulët krahasuar me të ardhurat përfundimtare: gjysma ose edhe më shumë e pagesave të klientëve përfundonte në duart e organizatorëve, çiftit Buttini-Ronchi.
MADE Luxury Concierge, emri i kompanisë që shërbente si mbulesë, paraqitej në faqen e saj si “shprehja përfundimtare e mikpritjes ekskluzive dhe shërbimeve të personalizuara luksoze në Milano”, duke ofruar vila dhe apartamente ekskluzive, si dhe “eksperienca të personalizuara sipas nevojave të klientit”.
Oferta përfshinte shefa privatë kuzhine, shoferë, blerje të personalizuara, organizim eventesh dhe garanci për trajtim VIP në të gjitha aspektet, nga festat në klube të njohura si Justme Milano, Pineta Milano, Tuya dhe Voya, deri te rezervimet në destinacione të tjera si JustMe Lake Garda.

Ndër sportistët e përfshirë përmenden Dean Huijsen (Real Madrid), Victor Osimhen (Galatasaray dhe ish-Napoli), Luca Pellegrini dhe Matteo Cancellieri (Lazio), Alessandro Buongiorno (Napoli dhe kombëtarja italiane), Samuele Ricci (Milan) dhe Daniel Maldini, djali i Paolo Maldinit.
Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, gjykatësja ka vendosur të mbajë sekret identitetin e klientëve dhe të mos specifikojë llojin e shërbimeve që kanë kërkuar futbollistët.
Analiza e flukseve financiare ka çuar në përfundimin se, sipas Policisë Financiare, rreth 1.2 milionë euro të ardhura nga këto aktivitete nuk ndodhen në llogari brenda Italisë dhe dyshohet se janë transferuar jashtë vendit. Gjurmimi i këtyre parave mbetet një nga drejtimet kryesore të hetimit.









