“Bashkimi i Korçës me Greqinë do t’i servirej Evropës…”/ Ana e panjohur e masakrave greke në 1914

Mëngjesin e 5 dhjetorit 1912, sipas kalendarit allafrënga, ose më 18 dhjetor, sipas kalendarit allaturka, u përhap një lajm i frikshëm: ushtritë greke kishin hyrë në Devoll dhe po vinin drejt Korçës. Ata digjnin, vrisnin dhe shkatërronin gjithçka që gjenin përpara. Divizionet greke udhëhiqeshin nga një kolonel i quajtur Dhamiano. Myslimanët e fshatrave të Devollit u përfshinë nga paniku. Gjithë tmerri do të binte mbi ta. Vendosën t’i linin shtëpitë e tyre e të niseshin drejt Korçës, mbase atje do të ishin më të mbrojtur. Asgjë nuk ishte e sigurtë, por zgjidhje tjetër nuk kishin. Prisnin të binte errësira. Rrëfimet e asaj nate, duke u gdhirë 6/19 dhjetori, janë nga më rrëqethëset. Ata që morën udhët ishin të shumtë. Nuk mundën të merrnin asgjë me vete.

Vijon nga numri kaluar

Xhandarmëria shqiptare po organizohej, por “batalionet e shenjta” të Mitropolisë nuk po shkriheshin. Dhespoti kërkonte vazhdimisht edhe pak kohë. Ai dhe njerëzit e tij kishin një plan të zi për të realizuar. Ushtria greke kishte bërë sikur ishte larguar nga Korça, por jo të gjithë kishin ikur. Shumë ushtarë dhe oficerë u fshehën në Mitropoli, të tjerë u vendosën nëpër përrenj, një pjesë tjetër gjeti strehim te spitali grek i Korçës.

Dy mjekë, farmacisti, kujdestari i quajtur Papadhaqis, si dhe 30 ndihmësmjekë, qëndruan aty nën pretendimin se shumë ushtarë dhe oficerë të ushtrisë greke ishin plagosur rëndë dhe ata nuk mund t’i braktisnin pacientët e tyre. Nga Korça nuk iku as drejtori i Telegrafit, Qirjako Dhiamandidhi. Ai ishte njeriu që do të telefononte fillimin e gjakderdhjes së përgatitur nga dhespot Gjermanos.

Të gatshëm dhe të armatosur qëndronin edhe ushtarët e “batalioneve të shenjta”. Dhespoti i Korçës mori si roje personale, Gjergj Sulon (shpesh e thërrisnin Jorgji Sulo), nga Orman Çifligu që na data 14/27 shkurt. Sulua kishte qenë andart dhe njihej si trim i marrë. Edit Durham te libri i saj “Brenga e Ballkanit” sjell këtë informacion: “Me urdhër të Fuqive të Mëdha, ushtria e rregullt greke u detyrua të zbrazte krahinat e pushtuara.

Ajo u largua nga Korça, por la pas një të ashtuquajtur “spital të plagosurish që nuk mund të luanin nga vendi”, të cilin e lidhën me telefon me kufirin grek. Një pjesë e madhe e ushtrisë kishte mbetur në pika të ndryshme, larg qendrave të banuara, dukë ndërruar apo maskuar veshjen e tyre, me qëllim që t’i jepnin mundësi qeverisë greke ta mohonte se ishin ushtarë”.

Në zyrat e qeverisë shqiptare të Korçës, nisën të vinin kohë pas kohe informacione sekrete. Mitropolia ishte duke përgatitur një kryengritje. Atëherë qeveria dërgoi në Moravë 1500 burra të armatosur, të mbanin nën vëzhgim territorin e Korçës. U kërkua edhe largimi i telegrafistit Qirjako Dhiamandidhi, dhe ai u largua për tërë natën në drejtim të Bilishtit.

U kërkua sërish shpërndarja e “batalioneve të shenjta” dhe dorëzimi i armëve. por dhespoti përsëri u lut që t’i jepeshin edhe disa ditë kohë. Si mund t’i dorëzonte armët kaq papritur kur ai pikërisht tani gjendej në prag-fillimin e kryengritjes. Mitropolia e përshpejtoi realizimin e planit.

“Dhespot Gjermanos thirri në zyrë kapedan Gjergji Sulon edhe e vuri të betohet e të mbajë të fshehtë çdo gjë që do të dëgjonte nga goja e shenjtë dhe i thotë këto fjalë: “Kapedan Sulo! Mëmëdheu po humbet, orthodhoksia po prishet, feja po përqeshet, dhe Korça u bë për të qarë hallin tani si ra në duart e shqiptarëve”. Atëherë Suloja, u betua se nuk do të linte njeri pa ngritur në këmbë kundër qeverisë shqiptare.

“Ngreu Sulo i dashur dhe i bekuar, i tha dhespot Gjermanos, mos rri, ngrije popullin e gjithë kundër kësaj qeverie, e cila do të na prishë ortodoksinë”. (Petro Harizi, “Historia kronografike e Korçës”) Në Mitropoli mbërritën edhe dy trima të tjerë: Dhimitër Kallfa dhe Lluka Petro nga fshati Bellovodë. I pari mori përsipër të ngrinte në këmbë fshatrat e fushës, i dyti fshatrat e Qarrit.

Petro Mangaleci do t’u jepte mësim ushtarëve të “batalioneve të shenjta”, i ndihmuar edhe nga Kallfa. Njerëzit e Jorgji Sulos do të prisnin linjën e telefonit Korçë-Pogradec, kurse ata të Luka Petros linjën Korçë – Kolonjë. Jorgji Bushua do të sillte nga Bilishti rreth 1000 andartë të armatosur. Ishte menduar që qeveria e Korçës të dorëzohej brenda pak minutave. Mbi Mitropoli do të ngrihej flamuri i Vorio – Epirit. Bashkimi i Korçës me Greqinë do t’i servirej Evropës si fakt i kryer.

Nuk vonoi shumë. Telegrafisti Qirjako Dhiamandidhi erdhi përsëri për tërë natën në Korçë, dorëzoi një letër te drejtori i spitalit grek, D. Anagnostopulos, ku thuhej: Më dt 19/1 prill duke u gdhirë 20/2 prill andart e Bilishtit do të sulmojnë për të pushtuar Korçën. Fillimi i kryengritjes priste vetëm urdhrin final

20/2 prill 1914. Në orën 04.00 të mëngjesit, Jorgji Sulo la nën komandën e Andrea Samaras disa njerëz të tij, të bënin roje pranë varrezave ortodokse në hyrje të Korçës. Pastaj, me pjesën tjetër të njerëzve bëri përpjetë drejt kishës së Shëndëllisë. Kur doli në krye, kuptoi që rojet e qeverisë shqiptare nuk kishin pikasur gjë.

Ata vazhdonin të qëndronin të heshtur në karakollët e tyre. Kishin zënë vend diku aty ku sot gjendet lulishtja “Themistokli Gërmenji” dhe në pjesën e sipërme të Korçës, afër shtëpisë së doktor Polenës. (Deri aty shtrihej Korça në atë kohë). Atëherë, Sulua, urdhëroi dy-tre veta të zbrisnin poshtë, t’u binin kambanave. Ishte sinjali për fillimin e kryengritjes.

Një çast më pas, kapedan Suloja sulmoi rojet e qeverisë dhe mundi të çante pa ndonjë vështirësi. U dëgjuan kambanat. Ishte çasti final. Me të dëgjuar ushtimën e tyre ushtarët e “batalioneve të shenjta” do të visheshin me rroba ushtarake dhe do t’u bashkoheshin forcave të Jorgji Sulos. Gaqo Busho, ish deputet i serfixhesë në parlamentin otoman do të pozicionohej te vreshtat e qytetit, t’i priste udhën kapedan Kajos, sepse të gjithë e dinin që ai nuk do të rrinte pa ardhur.

Doktor Harisiadhi, (Nodha i Mit Harizit), me 400 veta do të zinte vend sipër Korçës, të pengonte ardhjen e banorëve të Mborjes në ndihmë të Korçës. Do të lajmërohej edhe ushtria greke që rrinte fshehur. Edit Duram, te “Brengat e Ballkanit” shkruan: “Ndërkohë, grekët e “plagosur” të Korçës telefonuan për ndihma mjekësore. Peshkopi grek nisi zbatimin e komplotit të tij. “Ndihmat mjekësore” erdhën në formën e bandave të armatosur dhe të armëve… kështu Korça u zu në befasi. E megjithatë qyteti qëndroi burrërisht…”.

Gjithçka ishte parashikuar me detaje. Të tjerë të armatosur, do të mësynin nëpër banesat e të gjithë atyre që kishin dalë hapur kundër Greqisë. Në shënjestër ishin myslimanët dhe disa familje vllahe. Ata do të ekzekutoheshin. Nuk do të faleshin as gratë që njiheshin për patriotizmin e tyre. Edhe fëmijë do të vriteshin, mjafton që kryengritja “vorio-epiriote” të përfundonte me fitore. Nuk do të bëhej asnjë kompromis. Tmerri kishte pushtuar Korçën.

Pasi la pas rojet e qeverisë, Suloja u turr drejt ndërtesës së xhandarmërisë, ku qëndronin oficerët holandezë. Nëse e merrte edhe edhe atë ndërtesë, fitorja do të ishte e sigurtë. Flamuri i vorio-epirit do të valëvitej mbi Mitropoli. Por oficerët hollandezë me të dëgjuar krismat, morën armët dhe u dolën agresorëve para, duke luftuar për jetë a vdekje. As Suloja nuk kishte ndërmend të tërhiqej, qëllonte vazhdimisht dhe bënte përpara.

Kur u gjend pranë farmacisë së Lakçes qëlloi përsëri dhe plagosi dy xhandarë. Një çast më vonë plagosi edhe major Snellen van Vollenhoven. Mirëpo kaq kishte qenë e thënë të ishte lavdia e Sulos. Në të njëjtën kohë kishte qëlluar edhe Snellen Vollenhoven. Sulua mbeti i plagosur, iu erën sytë dhe ra i mbuluar nga gjaku që nuk i pushonte.

Ushtarët e “batalioneve të shenjta”, që deri në atë çast e kishin mbështetur pa u kursyer, mbetën sy çakërritur. Si ishte e mundur të ndodhte kështu! Si mund të vritet një kapedan pa filluar lufta mirë?

Vetëdashësit (xhandarët) e qeverisë e kishin marrë veten. Oficerët holandezë, komandant i Mbrojtjes së Korçës, majori Johan E. Snellen van Vollenhoven, (i plagosur në dorë) kapiteni Jetze Doorman, kapiten i xhandarmërisë Leopold de Gilard, kapiteni i misionit hollandez Reimers në Pogradec, konsulli amerikan, major Harold Sherëood Spencer, Themistokli Gërmenji, Abdyl Ypi, Hysen Nikolica, major Mustafa Elmazi, kapiteni Sadik Rexhepi, doktor Osman Feriti, leitant Ismail Hakiu, Ferit Frashëri, komandanti i çetës Hysen Pirgu etj ishin vënë në krye të forcave qeveritare dhe të njerëzve që vinin nga fshatrat në mbrojtje të Korçës.

Si mund të mos i dilnin në mbrojtje Korçës. Ja çfarë rrëfen gazeta “Koha” për banorët e fshatrave: “Tashti ka dërguar Greqia ca oficerë katilë, të cilët kanë zënë e po bastisin fshatrat e myslimanëve. I mundojnë të gjorët fshatarë duke u vënë hekur të nxehtë nëpër gishtërinj, duke u futur spica nëpër thonj, duke u hedhur vaj të djegur në kraharor, duke i shtrënguar që të japin çfarëdo arme që kanë dhe duke u rrëmbyer sa mund para (të holla) më tepër. Të gjorat fshatra myslimane, nuk u janë mbaruar akoma taksiratet, s’është mjaft që u prishën me gjithsej, po edhe sot akoma, po i mundojnë dhe po i pjekin të gjallë!”

Terrori mbi këta banorë kishte nisur që na dita e parë e ardhjes së grekëve dhe vazhdoi deri ditën që ata u larguan përfundimisht nga Korça. Numri i njerëzve në mbrojtje të Korçës po bëhej gjithnjë e më i madh. Andartët vazhdonin të mbeteshin po aq sa ishin. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe.

Gazeta “Koha” sjell këtë të vërtetë: “Klika e hajdutëve, e tradhtarëve, e të shiturve, e të ç’ndershmëve dhe e katilëve, e formuar prej Efrim Dardhës, Pando Katilit, Petro Mangalecit dhe kompanisë që mbretëron, po këta sot janë kaq të shpëlarë sa të gjithë u kthejnë krahët me ndohtësirë! (Gazeta “Koha”, 24 qershor 1915). Askush nuk mund t’u vinte në ndihmë. Palët kundërshtare ishin vendosur përballë njëra-tjetrës.

“Tani Korça u nda në dy ordhi (pjesë) njëra në Kasaba dhe tjetra në Varosh dhe lufta, ora me orën bëhej më e nxehtë dhe më e rreptë”, shkruan Petro Harizi te libri i tij, “Historia kronografike e Korçës”. Gjakderdhja mes vëllezërve ishte në prag. Qyteti po shkonte drejt vëllavrasjes. Dikush duhej ta shmangte këtë marrëzi. Abdyl bej Ypi, Themistokli Gërmenji dhe të tjerë, bënë drejt Mitropolisë.

I kërkuan dhespotit armëpushim. Për dhespotin nuk kishte rëndësi nëse vriteshin të gjithë ose jo. Sot kishte nevojë Greqia dhe sot duhet të vdisnin ata, por kërkesës për armëpushim nuk mund t’i thoshte dot; jo. Ushtria e tij kishte mbetur pa prijës. Kapedan Jorgji Suloja, i plagosur nga major Snellen van Vollenhoven, nuk lëvizte dot nga vendi.

Andartët e Devollit që i kishin dhënë fjalën ish-deputetit të Parlamentit otoman, Jorgji (Gaqo) Bushos, Josif Adhamidhit edhe mitropolitit të Kosturit, Joaqimit, nuk po dukeshin. As pretendimet e Lluka Petros nga Bellovoda se do të ngrite më këmbë gjithë fshatrat e Qarrit, nuk po dilte i vërtetë.

Ndërsa për çdo minutë që kalonte, numri i njerëzve që vinin në mbrojtje të Korçës bëhej më i madh. Nëse situata nuk qetësohej, ata mund ta merrnin dhe Varoshin dhe do të mësynin drejt Mitropolisë. Dhespoti duhej të hidhte në short kokën e vet. /Memorie.al

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit