Në mesin e nënshkruesve edhe Eliot Engel, urime për zgjedhjen e Rugovës dhe përkrahje për demokracinë në Kosovë.
Në vitin 1992, një grup prej 16 kongresistësh amerikanë i kishin dërguar një letër urimi presidentit të atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugova, pas zgjedhjeve të 24 majit, duke i shprehur mbështetje për rrugëtimin drejt lirisë dhe demokracisë.
Letra është shpërndarë së fundmi nga zyrtari i LDK-së, Muhamet Hamiti, duke rikthyer në vëmendje përkrahjen ndërkombëtare që kishte Kosova në periudhën më të vështirë të saj. Në mesin e nënshkruesve ishte edhe kongresisti amerikan Eliot Engel.
Në këtë letër, kongresistët shprehnin shqetësimin për mundësinë e ndërhyrjes së regjimit të Beogradit në procesin zgjedhor, por edhe shpresën se qytetarët e Kosovës do të vazhdonin rrugën drejt pavarësisë dhe demokracisë.
Ata përgëzonin Rugovën për zgjedhjen pothuajse unanime si president dhe vlerësonin guximin e tij dhe të institucioneve të sapoformuara që vendosën të vepronin hapur në Kosovë, pavarësisht rreziqeve të mëdha.
Në letër theksohej gjithashtu se bashkësia ndërkombëtare po fillonte të kuptonte natyrën e regjimit serb të udhëhequr nga Slobodan Milošević, ndërsa premtohej angazhim i vazhdueshëm për të mbështetur lirinë politike në Kosovë dhe për të kundërshtuar politikat e Beogradit.
Kongresistët në fund shprehnin gatishmërinë për bashkëpunim të ardhshëm me Rugovën, duke e konsideruar atë një partner kyç në përpjekjet për liri dhe demokraci.
Shkrimi i plotë i Muhamet Hamitit:
KUJTESË PËR ZGJEDHJET HISTORIKE TË VITIT 1992
16 kongresistë amerikanë uruan Ibrahim Rugovën për zgjedhjen e tij President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e majit të vitit 1992
Nëpërmjet një letreje të përbashkët, 16 anëtarë të Kongresit amerikan, kishin uruar Ibrahim Rugovën për zgjedhjen e tij President i Republikës së Kosovës në zgjedhjet e 24 majit të vitit 1992, zgjedhjet e para shumëpartiake në historinë e Kosovës, që u mbajtën para 30 vjetësh.
Në faqen e parë të mesazhit (shih foton e letrës origjinale) dalin emrat dhe nënshkrimet e Eliot L. Engel-it dhe Susan Molinari-t, ndërsa në të dytën të 14 kongresistëve të tjerë, përkrahës të çështjes së Kosovës, ndër të cilët edhe Tom Lantos.
Letra që mban datën 26 qershor 1992 kishte këtë tekst:
26 qershor 1992
I nderuari Ibrahim Rugova
President i Republikës së Kosovës
38000 Prishtinë, Kosovë
I dashur President Rugova,
I kemi përcjellë zgjedhjet kosovare të 24 majit me një përzierje brenge të madhe dhe pritmërie të thellë: brengë se regjimi i Beogradit do të përpiqej të ndalonte me forcë votimet, dhe pritmërie se kosovarët do të ndërmerrnin një hap tjetër vendimtar drejt pavarësisë dhe demokracisë së lirë.
Duam t’ju përgëzojmë për zgjedhjen tuaj pothuaj unanime si President dhe t’ju dëshirojmë më të mirat në punët e vështira që ju presin. Jemi në dijeni se ju dhe anëtarët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, të sapokonstituuar, keni vendosur të qëndroni në Kosovë dhe që Qeveria juaj e re të veprojë hapur. Rreziqet që ju dhe kolegët tuaj keni përballuar dhe po përballoni janë të hatashme dhe ne do të bëjmë çmos t’ju përkrahim ju dhe anëtarët kosovarë të Kuvendit gjatë kësaj kohe të vështirë.
Bashkësia ndërkombëtare më në fund ka nisur ta kuptojë se çfarë regjimi kontrollon ushtrinë serbe dhe na mban shpresa se Millosheviqi dhe përkrahësit e tij do të nisin të ndiejnë së shpejti efektet e qortimeve të forta ndërkombëtare. Në synojmë të vazhdojmë të angazhohemi për liri politike në Kosovë dhe të kundërshtojmë politikat brutale dhe të gabuara të Qeverisë së Beogradit.
Edhe në një herë, në fund, ju përgëzojmë për fitoren tuaj të thellë në zgjedhje dhe mezi presim të bashkëpunojmë me ju në të ardhmen.
Përzemërsisht,
Eliot. L. Engel, Susan Molinari, William Broomfield, Dick Swett, William Zeliff, Tom Lantos, Frank Horton, Albert Bustamante, Michael McNulty, Wayne Owens, Don Ritter, James Sensenbrenner, William Dannemeyer, Jolene Unsoeld, Charles Wilson, Elton Gallegly, anëtarë të Kongresit Amerikan.









