Policia shpërblen me tender ‘Fer Petrolin’, ndaj të cilit u ngrit aktakuzë për mashtrim tatimor

Policia e Kosovës i ka dhënë tenderin për “Ndërtimin dhe renovimin e stacionit policor në Rahovec” kompanisë N.T. “Fer Petrol”, ndonëse kjo e fundit përballet me probleme me drejtësinë. Në qershor 2025, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj kompanisë për dyshime mbi shmangien e detyrimeve doganore përmes dokumenteve të falsifikuara.

Policia e Kosovës, më 21.04.2026, njoftoi se ka dhënë kontratën për ndërtimin dhe renovimin e stacionit policor në Rahovec. Me një vlerë prej 518 mijë euro tenderi iu dha kompanive: “FER PETROL” dhe MBB Construction. Sipas vendimit për dhënie të kontratës, në këtë procedurë kishte edhe oferta më të lira. Ndërkaq, kompania fituese “Fer Petrol” njihet për një histori problematike me institucionet e drejtësisë.

Aktakuza për “Fer Petrol” – dyshohet për shmangie mbi 545 mijë euro nga detyrimet doganore

Në vitin 2022, Dogana e Kosovës kishte ndërmarr një akison në tri pompa derivatës, në mesin e tyre edhe “Fer Petroll” nën dyshimet se kanë falsifikuar dokumente për t’iu ikur taksave. Lidhur me këtë është ngritur edhe aktakuzë. Mediat kanë siguruar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, me 17.06.2025. Aty thuhet ishte një skemë të dyshuar të shmangies së detyrimeve doganore përmes dokumenteve të falsifikuara.

Prokuroria pretendon se, në periudhën nga 1 janari 2019 deri më 12 mars 2022, janë përdorur dokumente të rreme kinse të lëshuara nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Greqisë në Prishtinë, si dhe kontrata të falsifikuara për shitblerje. Përmes këtyre dokumenteve, sipas aktakuzës, është mundësuar shmangia nga pagesa e detyrimeve doganore përfshirë edhe dy biznese të tjera: mbi 382 mijë euro akcizë, dhe mbi 163 mijë euro TVSH, që në total arrin në rreth 545 mijë euro.

“Nga data 01.01.2019 deri me 12.03.2022 në Prishtinë, i pandehuri N.T, FER Petroll përmes personit përgjegjës Jashar Gjoka me dije ka përdorur dokumentet e falsifikuar dokumentet për lirimin, kinse të lëshuar nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Greqisë në Prishtinë dhe kontratat e shitblerjes ndërmjet N. T Fer Petroll me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Greqisë në Prishtinë, të cilat nga përgjigja e Zyrës Ndërlidhëse e Republikës së Greqisë në Prishtinë rezulton se nuk janë të nënshkruar nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Greqisë në Prishtinë“, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, “Fer Petrol”, me emër biznesi “Mehdi Gjoka B.I” përfaqësohet nga Jashar Gjoka. Rasti është cilësuar si vepër penale “shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose akcizore”.

Por, ky nuk është rasti i vetëm. Më 16 nëntor 2016, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj afaristit nga Drenasi, Mehdi Gjoka, nën dyshimin se ka uzurpuar pronën në të cilën kishte ndërtuar kompaninë e tij për shitjen e derivateve, ‘Fer Petrol’. Mehdi Gjoka ishte akuzuar për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme, ku nga Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht.

Policia thotë se “Fer Petrol” ofertoi më së liri

Nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se kompania fituese ka ofruar ofertën e përgjegjshme me çmimin më të ulët. Po ashtu, sipas tyre, janë përmbushur edhe kërkesat për përshtatshmëri profesionale.

“Ju njoftojmë se AK – Policia e Kosovës Drejtoria e Prokurimit në harmoni me LPP-ne ka shpërblyer me kontrate OE N.T.” FER PETROL” për aktivitetin e prokurimit ‘Ndërtimi dhe renovimi i stacionit policor në Rahovec’’ Nr. Prok. 214-25-6778-5-1-1 pasi qe ka ofruar ofertën e përgjegjshme me çmim me te ultë. AK ka kërkuar dokumentet e përshtatshmërisë profesionale sipas nenit 65 te LPP te cilat OE i ka përmbushur dhe dëshmuar me dokumente sipas LPP-së“, thuhet aty.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës ka refuzuar kërkesën për rishqyrtim të një kompanie që ishte ankuar lidhur me vendimin për ta shpërblyer N.T. “FER PETROL”.

Në ankesë thuhej se kjo kompani nuk është e përgjegjshme dhe se janë shkelur disa dispozita ligjore, përfshirë parimin e barazisë në trajtim dhe mosdiskriminimit, nenin 59 (ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve), nenin 60 (kriteret për dhënien e kontratës) dhe nenin 6 (ekonomiciteti dhe efikasiteti).

Megjithatë, Policia e Kosovës tha se ky rekomandim është bërë në zbatim të plotë të vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), me numër 2025/1200, të datës 16 shkurt 2026, i cili e kishte konsideruar këtë grup operatorësh si të përgjegjshëm.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit