Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, ka kritikuar ashpër kryeministrin të Kosovës, Albin Kurti, veçanërisht lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.
Mustafa deklaroi se Kurti nuk ka treguar interes për të arritur një zgjidhje.
Sipas tij, kreu i Qeverisë i ka trajtuar pozitat shtetërore si monedha kusuritëse. “Ta jep këtë, ma jep atë. Ta jep kryetarin e Kuvendit ma jep nënkryetarin e Kuvendit, ma voton presidentin, do të thotë e ka shndërruar gjithë këtë proces për zgjedhjen e Presidentit në një lojë politike dhe në një pazar politik”, deklaroi Mustafa.
Ai theksoi gjithashtu se, nëse Lëvizja Vetëvendosje do t’i kishte votat për zgjedhjen e presidentit, nuk do të kishte nevojë për votat e partive të tjera. “Por fakti që nuk i ka votat do të thotë që duhet një marrëveshje. Qytetarët kur kanë votuar, kanë votuar për Qeverinë, s’kanë votuar për President. Ia kanë dhënë 51% të votave, e ka marrë krejt Qeverinë… nuk e ka kontestuar askush”, u shpreh ai.









