Mesfushori i ri i FC Midtjylland, Alamara Djabi, është përfshirë në një incident të rëndë fundjavën e kaluar në Herning, ku ka mbetur i plagosur pas një sulmi me thikë. Pavarësisht plagëve të marra, futbollisti nuk ndodhet në rrezik për jetën.
Lajmi u bë publik nga vetë klubi danez përmes një komunikate zyrtare, ku jepen detaje mbi ngjarjen dhe gjendjen shëndetësore të lojtarit.
Sipas njoftimit, 19-vjeçari ka pësuar lëndime të rënda dhe i është nënshtruar dy ndërhyrjeve kirurgjikale. Aktualisht ai ndodhet në gjendje stabile dhe është zgjuar nga koma farmakologjike.
“Futbollisti 19-vjeçar i FCM mbeti i plagosur rëndë në një sulm me thikë dhe tani është në gjendje stabile pas dy operacioneve. Ai është zgjuar nga koma farmakologjike dhe, duke marrë parasysh rrethanat, gjendja e tij është e mirë,” thuhet në deklaratën e klubit.
FC Midtjylland thekson se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet dhe po bashkëpunon në lidhje me hetimet, ndërkohë që i ofron mbështetje të plotë futbollistit dhe familjes së tij.









