Gazetari dhe analisti politik Adriatik Riza Dosti ka shkruar një opinion të fortë lidhur me situatën politike në Kosovë, duke ngritur akuza dhe vlerësime të ashpra ndaj zhvillimeve aktuale dhe aktorëve kryesorë politikë.
Në shkrimin e tij, ai pretendon se Kosova po mbahet peng nga, siç e cilëson ai, një kombinim faktorësh politikë dhe interesash personale, duke veçuar sidomos kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje, të cilët sipas tij udhëhiqen nga ambicie për pushtet dhe kontroll të plotë institucional.
Dosti shprehet gjithashtu se në skenën politike kosovare ekzistojnë edhe faktorë të tjerë që, sipas tij, po e vështirësojnë funksionimin normal institucional, përfshirë opozitën dhe përfaqësues të ndryshëm politikë, të cilët ai i kritikon për mungesë konstruktiviteti në procesin e zgjedhjes së presidentit dhe në arritjen e konsensusit politik.
Postim i plotë:
Kush po e mban Kosovën peng…
Absolutisht jo përrallat që u serviren sot rëndom shqiptarëve… egoja e Albin Kurtit për pushtet dhe për t’i pasur të gjitha për vete, ai dhe VV-ja e tij.
Kosovën po e mbajnë peng disa armiq të betuar të saj, ani pse flasin të njëjtën gjuhë si ne dhe ani pse vazhdojnë ta quajnë veten shqiptarë të Kosovës.
Madje është e rëndë ta thuash, por në rastin konkret edhe Lista Serbe po sillet më mirë sesa opozita e Kosovës.
Edhe një javë dhe afati i zgjedhjes së presidentit të ri mbaron… e në rast dështimi për një zgjedhje të tillë me konsensus, Kosova, për të keqen e saj, të emrit dhe imazhit të saj, por edhe duke u dëmtuar goxha ekonomikisht, politikisht, kombëtarisht e ndërkombëtarisht — por krejt pa dëshirën e saj — do të duhet të shkojë në zgjedhje të reja e të parakohshme, ani pse ato sapo i la pas dhe ani pse populli i Kosovës foli fare qartë se kë dëshiron të ketë në krye dhe në udhëheqje.
Kosovën sot, qartazi fare pak hapur e më së shumti nën rrogoz, po e mban peng loja e pisët Abdixhiku–Osmani, e dirigjuar nga Rama–Vuçiç dhe nga Tirana e Beogradi.
Po e mban peng lufta, dëshira dhe etja e tyre e çmendur për karrierë, për karrige dhe për pushtet.
Po e mbajnë peng intervistat totalisht keqdashëse e çoroditëse të V. Osmanit, që dëmtojnë dhe nuk ndihmojnë askënd, përveç egos së saj të sëmurë.
Po e mban peng kokëfortësia e B. Hamzës, që më mirë sillet me Vuçiçin dhe Serbinë sesa me Kurtin dhe Kosovën.
Po e mban peng sjellja prej “shpellarësh” e deputetes G. Musliu me shokë e shoqe në Parlamentin e Kosovës.
Po e mbajnë peng edhe dyshja e djeshme e luftës R. Haradinaj e S. Lushtaku, ndaj të cilëve Kosova dhe populli i saj nuk kanë asnjë lloj borxhi moral e material, pasi ua kanë shlyer të gjitha, bile më shumë sesa e meritojnë.
Kosovën po e mban peng mospropozimi i qëllimshëm i një apo dy kandidaturave nga opozita, që mund t’i takojnë politikës, por edhe më mirë figura publike, pasi në këtë rast do të ishte më e lehtë gjetja e konsensusit të përbashkët, miratimi dhe votimi me shumicë votash.
Kosovën, për të keqen e të gjithëve ne, po e mban peng edhe një lloj kokëfortësie dhe mungese tolerance që nuk duhet treguar në kësi rastesh për të mirën e përgjithshme, përfshirë edhe vetë Albinin, ani pse sipas ligjeve, rregullave dhe Kushtetutës së vendit të vet dhe para popullit që e ka votuar me shumicë, ai është krejt në rregull.
Madje Albin, që ta dish ti, unë personalisht (dhe jam i bindur se edhe shumë të tjerë mendojnë si unë) nuk jam dakord me lëshimet e atij lloji që i ke bërë së fundmi Abdixhikut, duke i ofruar 4 ministri, postin e zëvendëskryeministrit dhe deri edhe Kryetarin e Parlamentit — të cilat ai, jo pa qëllim dhe jo pa rekomandim të dikujt tjetër, i refuzoi.
Në votimet e fundit populli i Kosovës, o Albin, ta dha votën ty dhe iu besua ty dhe VV-së tënde, dhe këtë nuk e bëri që ti të bësh kompromise të tilla duke abuzuar me votën dhe besimin e tij.
Është koha e daljes publike dhe e thënies së së vërtetës lakuriq Kosovës dhe popullit të saj: kush dhe pse po e mban peng Kosovën, madje duke abuzuar rëndë edhe me marrëdhëniet e saj me Amerikën dhe BE-në, apo qoftë edhe me “privatizimin” banal që ish-presidentja Osmani po i bën presidentit amerikan Trump.
Dil dhe fol hapur, publikisht dhe ndershmërisht popullit dhe vendit tënd, o Albin Kurti, sot… se nesër druaj se do të jetë shumë vonë.









