Shkruan: Prof. Fahri Mahalla
Marrëveshje dhe koordinim sa më parë mes pozitës dhe opozitës janë të domosdoshme për ta shpëtuar Kosovën. Ju që jeni në pushtet dhe ju që jeni në opozitë duhet të këshilloheni me politikanët që kanë përvojë. Afrojini njerëzit e ditur me përvojë politike. Ata që e kuptojnë politikën dhe diplomacinë janë lënë jashtë organizimit politik. Jo vetëm që nuk po merren këshilla prej tyre, por shpesh edhe po etiketohen dhe kërcënohen.
Politikanët me përvojë, kur shkruajnë, nuk lexohen; kur japin këshilla, nuk dëgjohen. Shumë nga politikanët e sotëm, kryesisht të rinj dhe pa përvojë, mendojnë se i dinë të gjitha. Sikur ta kishin ndjekur politikën rugoviane, do ta kuptonin më mirë politikën dhe diplomacinë. Për fat të keq, shumë prej tyre nuk mësuan asgjë nga ajo qasje.
Ata që kanë sy dhe vesh duhet ta kuptojnë se bota është në prag të një lufte të tretë botërore. Ndërkohë, politikanët tanë – si të pozitës, ashtu edhe të opozitës – po luftojnë për karrige dhe nuk po arrijnë të bien dakord për zgjedhjen e Presidentit. Kjo është e turpshme. E njëjta logjikë po ndiqet edhe në Shqipëri.
Duhet ta marrim si shembull shtetin e Sllovenia, ku Milan Kučan u mbajt në krye të shtetit deri në pensionim, sepse u vlerësua për përvojën dhe kontributin e tij. Vetëm njerëzit e ditur mund ta zhvillojnë shtetin dhe ekonominë.
Po ashtu, shembull duhet të mbetet Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova. Edhe pse LDK kishte shumicën e votave pas luftës, ai përfshiu opozitën në qeveri, sepse besonte se kështu funksionon demokracia. Rugova dhe ekipi i tij mbanin afër politikanët me përvojë dhe këshilloheshin me ta.
Rugova nuk bënte veprime të parakohshme. Ai vepronte në përputhje me rrethanat politike rajonale, evropiane dhe botërore, duke marrë vendime të matura dhe gjithmonë në interes të Kosovës, sidomos gjatë okupimit serb.
Sot, shtresa politike shpesh i vendos interesat personale dhe partiake mbi ato shtetërore. Shumë politikanë kanë pak mençuri, zgjuarsi dhe largpamësi. Ata mendojnë se i dinë të gjitha dhe nuk kërkojnë këshilla nga ata që kanë përvojë.
Kjo kategori politikanësh shpesh bie në grackat e armiqve dhe, kur ndodh kjo, përpiqet ta shpëtojë veten duke fajësuar të tjerët. Kjo është e turpshme dhe e papranueshme.
Gjeneratat politike pas Rugovës, në shumicën e rasteve, kanë dëshmuar mungesë identiteti kombëtar, duke e shfrytëzuar shtetin për interesa personale. Ata bëjnë luftë për pushtet për t’i shpëtuar drejtësisë.
Nuk janë më të mirë as politikanët në Shqipëri. Kjo kategori po e zbraz Kosovën dhe Shqipërinë. Të rinjtë po largohen masivisht, dhe kjo është alarmante.
Këta politikanë nuk po fokusohen në zhvillimin ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës dhe sigurimin e pagave të dinjitetshme për qytetarët, në mënyrë që rinia të qëndrojë në vend.
Një dëshmi e qartë e dështimit të tyre është pamundësia për të zgjedhur Presidentin. Ky proces po zvarritet pafundësisht, me rrezikun që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.
Ndërkohë, bota po përballet me rreziqe të mëdha. Shtetet po punojnë për sigurinë, ushqimin dhe mbrojtjen e qytetarëve të tyre. Politikanët tanë nuk po e marrin këtë seriozisht.
Ata janë të përqendruar vetëm në ruajtjen e pushtetit dhe në përfitime personale e familjare. Për këtë, duhet të mbajnë përgjegjësi para drejtësisë, brenda dhe jashtë vendit.
Njerëzit e mençur mësojnë nga gabimet e të tjerëve dhe nuk i përsërisin ato. Fatkeqësisht, politikanët tanë po i përsërisin të njëjtat gabime brez pas brezi.
Prej vitesh kam paralajmëruar, edhe në gazetën “Bota Sot”, se duhet të përgatitemi për skenarët më të këqij. Mbrojtja civile duhet ta përgatisë popullatën. Çdo qytetar duhet ta dijë rolin e vet në rast rreziku.
Nëse ky sektor dështon në përgatitje, përgjegjësia është e paevitueshme. Nuk ka justifikim për vonesa të tilla.
Ju, politikanë të pozitës dhe opozitës, do të mbani përgjegjësi.









