Pas shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, me të cilin Naim Murseli dhe Granit Plava janë dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokalla me 30 vjet burgim, gjykata ka bërë të ditur se palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Sipas njoftimit, ankesa mund të paraqitet brenda afatit prej 30 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpall aktgjykimin në çështjen penale ndaj të akuzuarve N.M., G.P. dhe K.K., për shkak se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Vrasje e rëndë dhe Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë.
“I akuzuari N.M. është shpallë fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim të përjetshëm për veprën penale se në bashkryerje ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3. dhe 1.4 lidhur me nenet 31 dhe 34 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“I akuzuari G.P. është shpall fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim të përjetshëm për veprën penale se në bashkryerje ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.6. lidhur me nenin 31 dhe 34 të të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“I akuzuari K.K. është shpall fajtor dhe është dënuar me dënim në kohëzgjatje prej tridhjetë vitesh (30) për veprën penale Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë nga neni 173 paragrafi 1 pika 1.3 dhe 1.4 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Të akuzuarve N.M., G.P. dhe K.K., në dënimin e shqiptuar me burgim, iu llogaritet edhe koha e kaluar në masën e paraburgimit, ndërsa me vendim të veçantë iu vazhdohet masa e paraburgimit.
“Të akuzuarit detyrohen që të paguajnë të gjitha shpenzimet në emër të shpenzimeve të procedurës penale, po ashtu obligohen që në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë shumën secili nga 500 (pesëqind) euro, si dhe nga 50 (pesëdhjetë) euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit”, njofton Gjykata.









