Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka deklaruar se opozita nuk duhet të refuzojë dialogun politik dhe të çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja, duke e cilësuar një qasje të tillë si të gabuar.
Pak para nisjes së seancës së jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, ku pritet të diskutohet për krizën energjetike, Bajqinovci tha se deklarimet e fundit nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës për “mbyllje të dyerve” nuk janë në interes të vendit.
Ai u shpreh se Kosova nuk duhet të futet sërish në cikël zgjedhor, duke kujtuar se vendi ka shkuar dy herë në zgjedhje gjatë vitit 2025, gjë që sipas tij nuk ndihmon stabilitetin institucional.
Bajqinovci tha se vlerëson se ekziston një tendencë për të pamundësuar qeverisjen e kryeministrit Albin Kurti, duke shtuar se kjo nuk duhet të shtrihet edhe në pozicionin e presidentit të vendit. Sipas tij, situata aktuale politike po trajtohet në mënyrë të padrejtë dhe me synime politike.
Ai gjithashtu e cilësoi si “ofertë gjeneroze” propozimin e bërë nga pushteti, duke thënë se duke pasur parasysh rezultatet zgjedhore, ku Vetëvendosje ka rreth 52 për qind të mbështetjes, ndërsa LDK rreth 15 deputetë, një qasje më bashkëpunuese do të ishte më e arsyeshme.
Në fund, deputeti i VV-së theksoi se opozita duhet të tregojë gatishmëri për zgjidhje dhe të mos i mbyllë dyert e dialogut, duke shtuar se ende ka hapësirë për arritjen e një kompromisi politik.









