Dr.med. Ylli H. Mehmeti
Në Kosovë, sistemi shëndetësor mbetet një relikt i organizimit sovjetik: centralizim burokratik, mungesë llogaridhënie, politizim kapilar dhe një formë referimi pacientësh që e kthen mjekun në një hallkë pasive të një zinxhiri të ngadalshëm e të korruptuar. Ndërsa vendet perëndimore kanë kohë që e kanë kthyer shëndetësinë në shërbim të qytetarit – me fokus te cilësia, efikasiteti dhe trajnimi i vazhdueshëm – ne ende punojmë me logjikën e viteve ‘70-‘80 të shekullit të kaluar. Është koha për mekanizma konkrete, të detyrueshme dhe të financuara nga shteti. Transformimi i sistemit shëndetësor në Kosovë nuk është më çështje zgjedhjeje, por domosdoshmëri urgjente.
1.
E para dhe më e rëndësishmja: ndryshimi i formës së shkollimit specialistik. Shteti i Kosovës duhet të financojë sistematikisht përgatitjen e kuadrove të reja në institucione perëndimore prestigjoze. Jo me ndonjë bursë sporadike apo me trajnime ditore apo javore, por me programe të plota trajnimi disavjeçarë – 3, 4 apo 5 vjet – të lidhura kontraktualisht me kthimin e detyrueshëm në Kosovë. Kjo nuk është luks, është investim strategjik. Në vend që të prodhojmë mjekë me diplomë kosovare që pastaj “mësojnë duke bërë gabime” mbi pacientët tanë, le t’i dërgojmë të mësojnë nga ata që e kanë bërë sistemin shëndetësor perëndimor modelin më të mirë në botë. Ministria e Shëndetësisë duhet të krijojë një fond të dedikuar dhe një mekanizëm transparent seleksionimi, jo listën e “të afërmve”.
2.
Rruga e dytë, po aq e domosdoshme, është shfrytëzimi i diaspore mjekësore shqiptare. Qeveria duhet të identifikojë dhe të lidhë kontrata me mjekët me origjinë shqiptare që punojnë në Gjermani, Suedi, Zvicër apo SHBA. Jo si “vizitorë miqësorë” që vijnë një herë në vit për ndonjë konferencë folklorike, por me projekte konkrete: trajnime periodike në klinikat tona, transferim njohurish dhe protokollesh moderne, dhe organizim i rregullt i “exchange programs” brenda QKUK-së. Kjo kërkon mekanizma organizativë të përpiluar nga Ministria e Shëndetësisë – jo premtime në konferenca, por kalendar të detyrueshëm dhe buxhet të veçantë. Dy rrugët – trajnimi i kuadrove të reja dhe importimi i eksperiencës së diasporës – janë shtylla kurrizore të ngritjes së shërbimeve shëndetësore. Pa to, çdo reformë mbetet fasadë. Por reforma nuk mbaron këtu. Një plagë tjetër e rëndë është sistemi aktual i referimeve. Pacienti endet si top nga një mjek te tjetri, humb kohë, humb para, humb shpresë. Mjeku duhet të jetë në shërbim të plotë dhe maksimalisht i përkushtuar brenda institucionit shtetëror ku punon – jo të presë pacientin privat në orarin e dytë. Kjo ndryshon vetëm nëse rekrutojmë kuadrot më të mira në QKUK dhe në spitale rajonale duke e depolitizuar plotësisht procesin e punësimit. Mjaft me “familjarizmin” dhe me emërimet politike. Procesi i punësimit të mjekëve duhet të bëhet ekskluzivisht me mekanizma meritokracie: provime të standardizuara, vlerësim kompetencash dhe transparencë totale. Kush nuk kalon – nuk punon. Pikë.
3.
Qeveria aktuale (dhe ato para saj) ka treguar se preferon të flasë për “reforma” në konferenca, ndërsa në terren mbetet e njëjta rrëmujë sovjetike. Nëse nuk veprojmë tani me guxim dhe me para reale – jo me premtime – atëherë mos u çuditim kur brezi ynë i ri do të vazhdojë të ikë në Perëndim jo vetëm për të studiuar, por edhe për të mos u kthyer kurrë. Shëndetësia nuk është çështje buxheti. Është çështje vizioni dhe kurajoje politike. Dhe për momentin, na mungon të dyja.
Nëse këto mekanizma nuk ndërtohen me seriozitet dhe guxim politik, çdo përpjekje për reformë do të mbetet retorikë boshe. Ndërsa, nëse ndërmerren me vendosmëri, Kosova ka mundësi reale të ndërtojë një sistem shëndetësor që i shërben dinjitetshëm qytetarëve të saj.









