Aktivisti dhe gazetari Blerim Shala ka deklaruar se ideja për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë e lidhur ngushtë me njohjen formale reciproke mes dy shteteve.
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË në Koha, Shala shpjegoi se kjo ide kishte marrë formë në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, por nuk pati ndonjë plan konkret pasi diskutime nuk mbërrin në atë fazë.
Sipas Shalës, propozimi ishte i ndërtuar mbi parimin që fillimisht të ndodhte njohja formale, e më pas të diskutohej për korrigjimin e kufijve në mënyrë paqësore, në përputhje me parimet ndërkombëtare.
Ai theksoi se kjo qasje ishte e lidhur me angazhimin e diplomatit amerikan Wess Mitchell, me synimin për të larguar ndikimin rus nga Serbia.
“Ideja ka qenë e Wess Mitchellit, absolutisht, sepse ai është nisë prej parimit t’i heqë rusët prej Serbisë. Vuçiqi i ka thënë, unë për me i heqë rusët prej Serbisë, unë duhet me ba qët punë, me ba marrëveshje me Kosovën. Por, ideja ka qenë për njohje formale, reciproke midis dy shteteve, e thamë më herët, kur dy shtete njihen, ti masandej e bën korrigjimin e kufijve, edhe mos me pasë, sepse është parimi i Helsinkit i 1975-s. Pra, që i lejohet në mënyrë paqësore”, ka thënë Shala.
Në këtë proces, rol të rëndësishëm kishte edhe ndërmjetësimi i Bashkimit Evropian, përkatësisht i Federica Mogherinit, e cila sipas Shalës kishte folur hapur për njohjen formale gjatë takimeve me përfaqësuesit e palëve, përfshirë presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Shala pretendon se në këto takime ishte bërë e qartë se njohja reciproke ishte tema kryesore e dialogut.
Ai shtoi se ideja kishte mbështetje edhe nga zyrtarë të tjerë amerikanë, përfshirë John Bolton, ndonëse ky i fundit, sipas tij, kishte ardhur në një fazë të vonshme të procesit.
Duke folur për përmbajtjen e diskutimeve, Shala mohoi që të ketë pasur plane konkrete për ndarjen e Kosovës apo hartime të kufijve në tavolinë. Ai theksoi se nuk ishte diskutuar për kufirin në lumin Ibër dhe se, sipas tij, asnjë politikan shqiptar nuk do të pranonte një zgjidhje të tillë.
Megjithatë, ai pranoi se ideja e përgjithshme kishte qenë që një pjesë e veriut të lidhej me Serbinë, por pa përfshirë Mitrovicën e Veriut, duke e cilësuar këtë si një skenar hipotetik që nuk kishte arritur asnjëherë në fazë konkrete negociatash për shkak të kundërshtimin nga të dyja palët, por edhe të Gjermanisë e Britanisë së Madhe.









