“Njerëzit kanë frikë nga ju”, kritika e ashpër e blogeres ruse ndaj Vladimir Putin bëhet virale

Kremlini po përballet me pasojat e përhapjes së shpejtë në rrjetet sociale të kritikave të një blogereje të njohur ndaj autoriteteve ruse, ndërkohë që vlerësimet për Vladimir Putinin kanë shënuar rënien për 6 javë radhazi.

Victoria Bonya, një figurë e njohur në Rusi që fitoi popullaritet në vitin 2006 përmes emisionit “Dom-2”, publikoi të hënën një video ku paralajmëroi presidentin rus se një sërë problemesh në rritje rrezikojnë të dalin jashtë kontrollit.

“Njerëzit kanë frikë nga ju, artistët kanë frikë, guvernatorët kanë frikë”, deklaroi ajo në videon 18-minutëshe të publikuar në Instagram, e cila ka marrë rreth 26 milionë shikime dhe mbi 1.3 milionë pëlqime brenda katër ditësh.

Ajo renditi disa çështje që, sipas saj, drejtuesit rajonalë nuk guxojnë t’ia paraqesin drejtpërdrejt Putinit, përmbytjet në Dagestan, ndotja nga nafta përgjatë bregdetit të Detit të Zi, asgjësimi i bagëtive në Siberi, ndërprerjet e internetit si dhe vështirësitë për bizneset e vogla për shkak të rritjes së çmimeve dhe taksave.

Bonya ngriti gjithashtu shqetësimin se frika e qytetarëve mund të zëvendësohet nga reagim i papritur. Sipas saj, presioni ndaj shoqërisë po rritet dhe mund të çojë në shpërthime të pakontrolluara pakënaqësie.

Autoritetet në Moskë ndërmorën një hap të pazakontë duke reaguar publikisht ndaj kritikave, duke deklaruar se po punohet për adresimin e problemeve të përmendura.

Komentet e blogeres nuk synuan drejtpërdrejt Putinin apo luftën në Ukrainë, gjë që ka nxitur diskutime nëse ndërhyrja e saj ishte e koordinuar për të treguar se shqetësimet e publikut po dëgjohen, në prag të zgjedhjeve parlamentare të këtij viti.

Kjo qasje përputhet me një praktikë të njohur të Kremlinit, ku presidenti paraqitet si figurë që nuk informohet plotësisht nga vartësit. Kjo strategji ka ndihmuar në shmangien e përgjegjësisë direkte për problemet e vendit.

Megjithatë, analistët politikë vlerësojnë se reagimi i Bonyas ishte spontan dhe pasqyron pakënaqësinë në rritje në shoqërinë ruse.

Politologu Andrei Kolesnikov thekson se lodhja nga lufta po bëhet gjithnjë e më e dukshme dhe qytetarët po fillojnë ta lidhin situatën aktuale me pasojat e konfliktit në Ukrainë. Ai shton se autoritetet e kanë më të vështirë të justifikojnë ndikimin e luftës në jetën e përditshme, nga ngadalësimi ekonomik deri te kufizimet në internet.

Edhe Abbas Galyamov, ish-këshilltar i Putinit që jeton në mërgim, vlerëson se ndërhyrje të tilla nga figura publike mund të shtojnë pakënaqësinë në shoqëri dhe të zgjerojnë bazën e kritikëve.

Sipas tij, qytetarët përballen me rritje çmimesh, probleme me internetin dhe ndikim të shtetit në jetën private, ndërsa lufta po krijon lodhje të përgjithshme.

Sondazhet e fundit tregojnë se niveli i besimit dhe miratimit për Putinin ka rënë në pikën më të ulët që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022.

Në një takim me zyrtarë të lartë, presidenti pranoi në mënyrë të tërthortë vështirësitë ekonomike dhe kërkoi shpjegime nga qeveria dhe banka qendrore për performancën nën pritshmëri gjatë këtij viti.

Njëkohësisht, pakënaqësi po shfaqet edhe nga blogerët pro luftës, të cilët kritikojnë ritmin e ngadaltë të operacioneve ushtarake dhe humbjet në rritje.

Gazetari Andrey Filatov shkroi se humbjet reale shpesh fshihen ose paraqiten në mënyrë të fragmentuar, duke krijuar një perceptim të pasaktë për situatën dhe duke penguar përshtatjen e ushtrisë.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit