Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, ka dorëzuar deklarimin e rregullt vjetor të pasurisë për vitin 2026 pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.
Dokumenti pasqyron një pasuri të konsiderueshme të paluajtshme, ku dominojnë pronat e trashëguara dhe ato të blera përmes kredive.
Pasuri e lartë e paluajtshme
Në regjistrin e pasurisë, spikasin dy prona me vlera të larta:
- Një banesë me sipërfaqe prej 168.95 m2, e vlerësuar në 470,000.00 €, të cilën Radoniqi e ka deklaruar si të trashëguar pas ndërtimit të një objekti kolektiv në pronën e prindit.
- Një lokal në pronësi të prindërve me sipërfaqe prej 142.00 m2, i cili kap vlerën prej 700,000.00 €.
Përveç këtyre, kryetari i KQZ-së ka deklaruar edhe një banesë tjetër prej 133.26 m2 të blerë në vitin 2020 (vlera 125,934.00 €) dhe një shtëpi të prindërve prej 168.00 m2 (vlera 85,000.00 €). Lista plotësohet me disa depo dhe garazhe, vlera e të cilave luhatet nga 5,000 deri në 15,000 euro.
Vetura dhe kursime bankare
Familja Radoniqi posedon tre automjete:
- Një veturë Volkswagen e vitit 2016 (6,000 €) në emër të deklaruesit.
- Një Volkswagen i vitit 2022 (3,100 €) në emër të prindit.
- Një veturë Nissan e vitit 2024, e vlerësuar 10,000 €, e cila figuron si dhuratë nga vëllai i prindit.
Sa i përket parave të gatshme, Radoniqi mban në llogari rreth 5,692 €. Prindërit e tij kanë kursime prej mbi 9,000 €, ndërsa bashkëshortja dhe fëmijët e tyre kanë gjithashtu llogari aktive me kursime.
Të hyrat dhe borxhet
Gjatë vitit, Radoniqi ka realizuar të hyra nga paga si Gjyqtar në Gjykatën e Apelit dhe nga funksioni në KQZ, me shuma prej 26,580.48 € dhe 9,564.84 €. Gjithashtu, ai ka përfituar mbi 1,900 euro nga meditjet për udhëtime zyrtare jashtë vendit.
Në anën tjetër, bashkëshortja e tij, e punësuar në Teatrin “Istref Begolli” në Pejë, ka realizuar të hyra vjetore prej 11,806.11 €. Prindi i tij ka gjeneruar rreth 12,000 € nga pensioni dhe puna si avokat.
Për sa i përket detyrimeve, Kreshnik Radoniqi është i ngarkuar me dy kredi aktive:
- Kredi për blerje banese me vlerë mbetëse 75,762.80 €.
- Kredi për mobilim me vlerë mbetëse 33,513.46 €.









