Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, falë bashkëpunimit dhe informacioneve të ndara nga qytetarët, është arritur zbulimi i armatimit, fishekëve dhe uniformave ushtarake me logo të Serbisë, në dy lokacione në komunën e Zubin Potokut.
Sipas njoftimit, Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Veriut ka pranuar informacion se në fshatin Paljevo, komuna e Zubin Potokut, mund të ketë mjete të dyshuara ilegale.
“Pas kontrollit të realizuar nga policia, në një hambar janë gjetur dhe sekuestruar: 1 pushkë Zastava M59, 3 fishekë 7.62 mm, 165 fishekë 7.92 mm, uniformë ushtarake me logo të shtetit të Serbisë”, thuhet në komunikatë.
Ndërkaq edhe në një rast tjetër, falë denoncimit të qytetarëve, është kontrolluar një lokacion në po të njëjtin fshat.
“Në të janë gjetur dhe sekuestruar: 1 zollë, 2 tromblona, 2 granata dore M75, 2 armë AK-47, 9 karikatorë, 90 fishekë për armë të gjatë, 79 fishekë 11.53 mm, 2 thika taktike, 3 fishekë”, ka njoftuar Policia.
Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur Prokurorit të Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.









