Presidenti rus Vladimir Putin mund të jetë duke shqyrtuar një strategji për sulme kundër satelitëve në hapësirë, një zhvillim që mund të ketë pasoja të gjera globale, sipas një deklarate të një zyrtari të lartë ushtarak amerikan.
Gjenerali Stephen Whiting, kreu i Komandës Hapësinore të SHBA-së, deklaroi për gazetën The Times se administrata amerikane është “shumë e shqetësuar” për planet e mundshme të Kremlinit.
Ai theksoi se Rusia mund të synojë vendosjen në orbitë të një arme bërthamore kundër satelitëve, e cila do të rrezikonte satelitët në orbitën e ulët të Tokës. “Ky është një skenar që nuk mund ta pranojmë”, u shpreh Whiting.
Sipas tij, Rusia mbetet një fuqi e avancuar në hapësirë dhe vijon të investojë në kapacitete të ashtuquajtura kundër-hapësinore.
I pyetur mbi arsyet e një strategjie të tillë, Whiting deklaroi se nga këndvështrimi rus, SHBA dhe NATO kanë epërsi në armët konvencionale. Në këtë kontekst, zhvillimi i mjeteve për të neutralizuar kapacitetet hapësinore të Perëndimit shihet si një mënyrë për të balancuar fushën e betejës.
Gjenerali nuk komentoi mbi burimet e informacionit të SHBA-së për këto vlerësime. Nëse konfirmohen, këto zhvillime do të përbënin një shkelje të rëndësishme të Traktatit për Hapësirën, të cilin Rusia e ka nënshkruar.
Whiting shtoi se aktivitetet ruse përfshijnë gjithashtu ndërhyrje në komunikimet satelitore dhe sinjalet GPS në një shkallë që mund të rrezikojë edhe aviacionin civil.
Në këtë kontekst, drejtuesit e Bashkimit Europian dhe NATO-s diskutuan për rritjen e prodhimit të armëve në Europë, në kushtet e tensioneve në rritje dhe pasigurisë mbi angazhimin e SHBA-së në aleancë.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi pas një takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, se “duhet të investojmë më shumë, të prodhojmë më shumë dhe ta bëjmë këtë më shpejt”.
Vendet europiane po përpiqen të forcojnë kapacitetet e tyre ushtarake përballë luftës së Rusisë në Ukrainë dhe presionit nga Uashingtoni për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes.
Aleatët e NATO-s janë zotuar të rrisin shpenzimet bazë të mbrojtjes në 3.5% të PBB-së, megjithëse mbeten shqetësime për aftësinë e industrisë europiane të mbrojtjes për të përmbushur këto kërkesa.
Zyrtarët e NATO-s theksojnë se aleanca duhet të fokusohet në avantazhet e saj kryesore, përfshirë koordinimin e financimit dhe planifikimin ushtarak.









