Bujar Ejupi, pjesëtar i FIT, ishte i përfshirë në një incident para disa ditëve në Podujevë si shkak i një mosmarrëveshjeje në komunikacion, që eskaloi në dhunë fizike mes tij dhe dy qytetarëve. I njëjti kishte probleme të natyrës së njëjtë edhe para dy vitesh.
Pas incidentit, Ejupi ishte shoqëruar në Stacionin Policor në Podujevë.
Gazeta ka arritur të sigurojë pamje, ku Ejupi para dy vitesh shihet duke sulmuar fizikisht një qytetar që ishte i shoqëruar me një fëmijë, pas një mosmarrëveshjeje verbale.
Për sjelljet e zyrtarit policor dhe incidentet e mëhershme, Gazeta iu është drejtuar me shkrim Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), megjithatë ata deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’kanë dhënë asnjë përgjigje.
Insajderi ka provuar të kontaktojë edhe me Zyrën e Komunikimit të Policisë së Kosovës dhe ka insistuar të marrë një koment edhe nga vetë zyrtari policor, megjithatë të njëjtit kanë kërkuar që të drejtohemi në IPK.
“Të nderuar, Referuar kërkesës suaj ju lutem ti drejtoheni Inspektoratit Policor të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Gazeta para disa ditësh raportoi se polici Ejupi ishte përfshirë në rrahje me babë e bir, Halil dhe Edon Kastrati.
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) as në kanalet zyrtare nuk ka njoftuar për ndërmarrjen e ndonjë mase ndaj pjesëtarit të FIT’it.









