Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën u dhanë fjalët përfundimtare për rastin e sulmit terrorist në Banjskë të 23 shtatorit 2023.
Prokuroria Speciale ka hartuar fjalët përfundimtare për të akuzuarit Bllagoje Spasojeviq (Blagoje Spasojevic), Vlladimir Tolliq (Vladimir Tolic) dhe Dushan Maksimoviq (Dusan Maksimovic), për të cilët Prokurori Special Naim Abazi, ka kërkuar dënim të përjetshëm.
Kjo pasi, sipas Prokurorisë, është vërtetuar se të akuzuarit kishin dijeni për sulmin dhe kishin role të ndryshme në realizimin e tij.
Në këtë sulm terrorist mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku. Një ditë pas vrasjes së tij, Presidentja e atëhershme e Kosovës, Vjosa Osmani, e shpalli “Hero i Kosovës” policin e vrarë dje në orët e para të mëngjesit në Banjskë të Zveçanit.
Klankosova.tv sjell detajet nga fjala përfundimtare 21-faqëshe e Prokurorit Special, Naim Abazi.
Provat për rolin e Bllagoje Spasojeviq dhe pjesëmarrjen e tij në grupin e organizuar
Sipas Fjalës Përfundimtare të Prokurorisë Speciale, i pandehuri Bllagoje Spasojeviq ka hyrë në territorin e Kosovës në mënyrë të organizuar, së bashku me persona të tjerë, duke përdorur një automjet dhe duke udhëtuar për disa orë deri në destinacion.
Spasojeviq, sipas Fjalës Përfundimtare, ka pranuar se, pasi ka arritur në vendngjarje, ka hequr rrobat civile dhe është pajisur me uniformë ushtarake dhe armatim, përfshirë armë automatike dhe municion.
Sipas deklarimeve të tij, ai ka vepruar sipas udhëzimeve të një strukture të organizuar dhe ka qenë i pozicionuar në terren në mënyrë të koordinuar me pjesëtarët e tjerë të grupit.
Pretendimi i tij se fillimisht mendonte se bëhej fjalë për një protestë paqësore bie ndesh me faktet, pasi veprimet konkrete si armatosja, shpërndarja e municionit dhe organizimi në formë ushtarake nuk përputhen me karakterin e një proteste të tillë.
Gjatë zhvillimit të ngjarjes, i pandehuri është gjetur i veshur me uniformë ushtarake dhe i pajisur me armë automatike (AK-47) dhe municion.
Arma është hequr nga duart e tij në momentin e arrestimit. Gjithashtu, nga provat materiale të mbledhura nga Prokuroria, rezulton se automjeti i përdorur nga ai “Jeep Grand Cherokee” është gjetur i braktisur dhe në të janë sekuestruar pajisje ushtarake, armë, një sasi e madhe municioni, telefona dhe sende personale.
Konkretisht, Prokuroria thotë se janë gjetur qindra fishekë të kalibrave të ndryshëm, karikatorë të mbushur dhe armë të tjera, përfshirë edhe një revole.
Nga analizimi i telefonave të sekuestruar, Prokuroria thotë se janë zbuluar prova që tregojnë lidhjen e tij me një strukturë të organizuar grupi.
“I pandehuri figuron si pjesë e grupit të tretë, me numër rendor katër”, tha Prokuroria në fjalën e saj përfundimtare.

Në dokumentin e Prokurorisë të siguruar nga Klan Kosova, thuhet se në një prej pajisjeve është gjetur një fotografi e mëhershme ku ai paraqitet si pjesë e grupit, duke sugjeruar organizim paraprak dhe ndarje rolesh.
Po ashtu, thuhet se në një telefon tjetër janë gjetur fotografi të realizuara para ngjarjes në ambient hoteli, ku ai shihet së bashku me pjesëmarrës të tjerë, gjë që tregon se kontaktet dhe koordinimi mes tyre kanë ekzistuar edhe para sulmit.
Provat ndaj Vlladimir Tolliqit – nga gjurmët e barutit te mesazhet me “My Love”
Në fjalën përfundimtare nga dosja e Prokurorisë është zbardhur roli i Vlladimir Tolliqit në sulmin e armatosur në Banjskë.
Sipas raporteve të forenzikës dhe ekzaminimeve elektronike, Tolliq thuhet se ishte pjesë aktive dhe e organizuar e strukturës që kreu sulmin. Raporti i AFK ka konfirmuar prezencën e mbetjeve të armes në xhaketën e tij ushtarake.
Përveç provave fizike, ekzaminimi i telefonit të tij (Samsung A51) zbuloi: Komunikime që ndërlidhen me bllokimin e rrugëve në veri dhe rolin e tij prej raportuesi.
Tolliq thuhet se kishte detyrë përpilimin dhe shpërndarjen e raporteve te bashkëpunëtorët e tjerë.
Një nga provat kyçe është një shkëmbim mesazhesh një ditë para sulmit, më 23 shtator 2023, thotë Prokuroria në dosjen e siguruar nga Klan Kosova.
Tolliq i dërgon një mesazh kontaktit të regjistruar si “My Love”, ku njofton për mbërritjen në destinacion dhe pritjen e udhëzimeve të mëtejshme për lëvizjen drejt Banjskës, shkruan Klankosova.tv.

“Tash mbërritën, të presim se çka dhe si më tutje”, ka shkruar Toliq, komunikim ku që pasohet nga përgjigja: “Deri ku”.
Gjithashtu, në telefonat tjerë të sekuestruar, më saktë në telefonin e Marjan Radojeviq, Prokuroria thotë se është gjetur një fotografi e strukturës organizative ku Toliq figuronte si pjesë e “grupit të dytë” me numër rendor 6, çka dëshmon se përfshirja e tij nuk ishte rastësore, por e planifikuar që nga korriku i vitit 2023.
Roli i Dushan Maksimoviqit, sipas komunikimeve në “Signal” dhe “Viber”
Dushan Maksimoviq ka pretenduar se ndodhej në Banjskë për një vikend shoqëror dhe se nuk ka pasur dijeni për sulmin. Ai ka deklaruar se u zgjua rreth orës 03:00-04:00 të mëngjesit nga telefonatat dhe zbriti në fshat rreth orës 07:00, pa pasur kontakt me zhvillimet operative.
Megjithatë, në pajisjet e tij, në aplikacionet “Signal” dhe “Viber” janë gjetur mesazhe dhe video si: “Vëlla lufte” dhe “Filloi”, “Ka të shtëna nga të gjitha anët”, “Luftë” dhe “Nuk është shaka”.
Maksimoviq, më 24 shtator 2023, në ora 02:16:36, shkruan: “Por mos e dhashtë zoti ndonjë konflikt të madh, gratë dhe fëmijët duhet të largohen”.
Derisa në po të njëjtën datë, pranon pyetjen: “Kur i vendosim stubat/shtyllat?” dhe i përgjigjet “Rreth orës gjysmë në 12 apo 11:30”.
Poashtu, dosja liston një sërë komunikimesh në aplikacionet “Signal” dhe “Viber” me persona të identifikuar me nofkat “Ruzi”, “Peli”, “Kurto”, “Fiki” dhe “Gjolle”. Në këto shkëmbime, përshkruhet gjendja në terren.

Komunikimet e tij zhvilloheshin pikërisht në orët kritike të datës 24 shtator 2023, para dhe gjatë zhvillimit të sulmit të armatosur.
Ora 01:38:23: Shkruhet mesazhi “Vëlla lufte”, ndërsa përgjigja vjen menjëherë: “Filloi”.
Ora 02:36:59: Përmendet shprehimisht: “Fillimi i luftës”.
Maksimoviq pranon mesazhe si: “Ka të shtëna nga të gjitha anët”, “Luftë” dhe “Nuk është shaka”, raporton Klankosova.tv.
“I pandehuri ka pranuar se ka incizuar video… ku shihen pjesëtarët e Policisë së Kosovës duke u monitoruar”, thotë Prokuroria në fjalën e saj përfundimtare.
Gjithashtu, theksohet se pas fillimit të sulmit, ai nuk ka njoftuar autoritetet, por ka zbritur në fshat dhe ka vazhduar monitorimin e situatës, përfshirë raportimet për të plagosurit: “Duket e kanë plagosur dikë nga tanët”, shkruan ai, dhe referenca për vendndodhje “te manastiri”, “te shtëpia e Kiçkos”.
Maksimoviq ka pranuar se ka incizuar video gjatë datës 24 shtator ku dëgjohen të shtëna. Në telefonin e tij janë gjetur pamje ku ai monitoron pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Andaj, bazuar në dëshmitë e përmendura më sipër, dhe të tjera të prezantuara në fjalën e plotë përfundimtare, Prokurori Special, Naim Abazi, tha:
“Në bazë të të gjitha provave të administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, në bazë të analizës së plotë juridike të elementeve objektive dhe subjektive të veprave penale, si dhe në bazë të përgjegjësisë individuale të secilit prej të pandehurve në kuadër të bashkëkryerjes, Prokuroria Speciale i propozon Gjykatës që të shpallë fajtorë Bllagoje Spasojeviqin, Vlladimir Tolliqin dhe Dushan Maksimoviqin për veprat penale për të cilat akuzohen dhe ndaj secilit prej tyre të shqiptojë DËNIMIN MAKSIMAL TË PARAPARË ME LIGJ, JO MË PAK SE BURGIM TË PËRJETSHËM”.
“Vetëm një dënim i tillë reflekton peshën reale të krimit të kryer, seriozitetin e cenimit të rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, sakrificën e zyrtarit policor të vrarë në krye të detyrës dhe nevojën e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë juridike dhe të autoritetit të shtetit. Çdo dënim më i ulët do të ishte në disproporcion me gravitetin e veprës, me pasojën fatale të shkaktuar dhe me rrezikshmërinë e lartë shoqërore të operacionit të armatosur”.
“Drejtësia në këtë rast nuk është çështje simbolike. Ajo është mbrojtje e shtetit ligjor, mbrojtje e rendit kushtetues dhe mbrojtje e jetës së atyre që, në emër të shtetit, zbatojnë ligjin dhe garantojnë sigurinë e qytetarëve”.
“Prokuroria e përfundon fjalën e saj me bindjen se provat janë të qarta, përgjegjësia është e provuar përtej çdo dyshimi të bazuar mirë dhe ligji kërkon aplikimin e plotë dhe të pakompromis të tij”.
“Kur një zyrtar policor bie në krye të detyrës si pasojë e një sulmi të organizuar dhe të armatosur kundër rendit kushtetues, përgjigjja e drejtësisë nuk mund të jetë më e ulët se dënimi maksimal i paraparë me ligj”, tha Prokurori Special, Naim Abazi, në fjalën përfundimtare dërguar Gjykatës Themelore në Prishtinë.









