Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca është deklaruar rreth çështjes së presidentit, duke dhënë qëndrimet e tij lidhur me bisedimet me Partinë Demokratike të Kosovës si dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Konjufca beson që kërkesa e PDK për ftesë zyrtare lidhur me detajet e takimit Hamza – Kurti nuk është serioze, teksa kritikoi ashpër propozimet e kësaj partie lidhur me zgjedhjen e emrit të presidentit.
“PDK duhet ta kuptojë që problemi është te ajo, te forma se si e ka propozuar presidentin, që ne te pajtohemi symbyllurazi me atë president. Nuk është e ndershme. Kjo është problematike, nuk ka këso marrëveshje në botë kurrkund”
“Çka mund të sqarojë kryeministri Kurti më shumë sesa një takim të sinqertë ku qitën emrat në tavolinë, ku PDK duhet t’i zbulojë emrat e marrëveshjes dhe pastaj të shohim”, shtoi ndër tjera Konjufca.
Ai gjithashtu shtoi se kjo marrëveshje do t’i sjellte shumë dëme Vetëvendosjes, duke shtuar se si rrjedhojë e qëndrimeve të tyre politike, ka emra brenda PDK-së që si parti nuk do t’i pranonin kurrë për president.
“Jo të nënshkruajmë një marrëveshje në parim, e cila na dëmton pastaj shumë nese dalim. Ajo pastaj e akuzon VV-në nëse e propozon një emër i cili me të vertëtë është i pakapërcyeshëm për VV-në, e të tillë emra në PDK ka plot”, tha Konjufca.









