Shkruan: Faton Ramadani
E vërteta që mungon
Dyshimet e para për përfshirjen në rastin e vrasjes së familjes Hajra dhe për montimin e këtij rasti, që përmendin Fadil Demakun dhe grupin e tij, bazohen në disa dëshmi të rëndësishme.
Skënder Halilaj, i dënuar fillimisht me 30 vite burg si personi kryesor, më pas është liruar në shkallën e dytë. Sipas tij, persona kishin shkuar në shtëpinë e tij për t’i ndryshuar deklaratat. Pas këtyre ndryshimeve, i gjithë grupi i përmendur ishte larguar nga rasti, ndonëse pretendohej se vrasja e familjes Hajra lidhej me një aksion gjatë luftës.
Florim Kiqina ishte dënuar në shkallën e parë, ndërsa në të dytën u lirua. Sipas dëshmive, bëhej fjalë për të njëjtin montim, dhe ai kishte qenë vazhdimisht në shoqëri me të tjerët. Ai kishte përmendur edhe një dëshmi të një dëshmitari lidhur me personat e përfshirë në vrasje, pozicionet e tyre dhe mënyrën se si ishin zëvendësuar emrat me persona të pafajshëm.
Zeqir Kiqina u dënua me 11 vite burg në shkallën e parë, por u lirua në të dytën. Ai kishte qenë me të tjerët në një ditëlindje dhe përballej me të njëjtat akuza. Sipas pretendimeve, një person i lidhur me Fadil Demakun, Petrit Morina, kishte telefonuar duke treguar se çfarë kishte dëgjuar nga grupi në fjalë lidhur me montimin e rastit.
Arben Kiqina u dënua me 30 vite burg dhe ky dënim iu konfirmua edhe në shkallën e dytë. Sipas deklarimeve, kishte pasur kërkesa që vetëm ai të mbetej në burg dhe rasti të mbyllej me të. Gjithashtu, ai kishte përmendur se kush kishte kërkuar fishek për të vrarë Hamzë Hajren.
Po ashtu, janë vërejtur ndryshime në deklaratat e Ilir Demakut dhe Petrit Morinës, në lidhje me një person të caktuar.
Vëllezërit Ramadani, bazuar në këto dëshmi dhe dokumentacionin e siguruar pas 24 vitesh, kanë ngritur dyshimet e tyre për këtë rast.
Sot, prova si telefoni, gjatësia e autorit dhe elemente të tjera konsiderohen shumë të rëndësishme për procesin. Nëse prokuroria hesht, ne kemi treguar para opinionit publik se jemi të pafajshëm.
Shpresojmë që grupet e nëntokës të mos ndërmarrin veprime si atentate apo shantazhe, sepse asgjë nuk mund ta ndalë drejtësinë. Ne do të dalim përballë të gjithëve për të vërtetën.
Me këtë shkrim përfundojnë reagimet tona lidhur me përfshirjen e përmendur të Fadil Demakut dhe grupit të tij në këtë rast. Vetëm nëse ka reagime apo provokime, do të përgjigjemi me dëshmi të tjera, të cilat do të jenë tronditëse për opinionin publik.
Ne do të vazhdojmë të paraqesim prova dhe dëshmi që vërtetojnë pafajësinë tonë, duke dëshmuar se nuk kemi asnjë lidhje me këtë krim.









