Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka reaguar pas deklarimeve të Egzon Azemit, deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, i cili së bashku me zëdhënësin e Qeverisë, Arlind Manxhukën, u dënuan për nxitje të përçarjes dhe mos-durimit me nga një vit e gjashtë muaj burg.
Deputeti Azemi me anë të një postimi në ‘Facebook’ gjatë ditës tha se vendimi i gjykatës ndaj tij, Manxhukës, Edi Zenelajt dhe Qerim Elshanit u mor nga “ata që i nënshtrohen Serbisë”.
Për këtë, ish-deputeti Haxhiu ka thënë se gjykatësi që mori vendimin, Kushtrim Shyti, është djali i dëshmorit Mustafë Shyti.
“Egzon Azemi, deputet i LVV-së në Kuvendin e Kosovës, i dënuar sot nga gjykata për vepër penale, e quan “argat të Serbisë” djalin e dëshmorit Mustafë Shyti, gjyqtarin Kushtrim Mustafë Shyti.Poshtërsia e LVV-së nuk ka kufi”, ka shkruar ai.
“Dil e tregona, Egzon Azemi, qysh djali i dëshmorit qenka argat i Serbisë?!Babai i gjyqtarit Kushtrim Shyti, mësuesi, poeti Mustafë Shyti, i burgosur politik dhe luftëtar i UÇK-së, ka rënë dëshmor në vijë të frontit duke luftuar Serbinë, që Kosova të jetë e lirë”, vijon postimi i tij.
Po ashtu, Haxhiu ka kërkuar edhe trajtimin e këtyre deklaratave nga ana e Gjykatës së Apelit.









