Historia e Emrush Gashit nga Tërbovci i Lipjanit para dhe pas luftës së Kosovës paraqet dy realitete krejtësisht të ndryshme, transmeton GazetaKosova.net
I njohur dikur si luftëtar dhe organizator i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i vlerësuar nga bashkëluftëtarët e tij për kontributin në disa zona të vendit, Gashi pas luftës kishte emigruar në Francë.
Në korrik të vitit 2018, gjatë një qëndrimi në Kosovë, ai dyshohet se vrau vëllanë e tij, Mali Gashin, pas një konflikti që lidhej me çështje prone. Pas ngjarjes, ai u arratis nga Kosova, ndërsa u arrestua në vitin 2021 nga autoritetet franceze në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar.
Gashi ishte në pritje të ekstradimit për në Kosovë, ku do të përballej me drejtësinë për këtë rast, ndërsa më herët raportohej se kishte qenë i dënuar edhe për një vrasje tjetër.
Së fundi, ai është gjetur pa shenja jete në një burg në Francë, ku po mbahej në paraburgim. Vdekja e tij po cilësohet si e dyshimtë dhe dyshohet se mund të ketë ndodhur brenda qelisë.
Autoritetet përkatëse pritet të sqarojnë rrethanat e plota të rastit, i cili prej vitesh kishte tronditur opinionin publik në Lipjan.









