Deputeti i PDK-së, Bedri Hamza, ka thënë se është tepër gabim të transmetohet mesazhi se disa deputetë janë pro qytetarëve, e disa pro bizneseve dhe në dëm të qytetarëve.
“Si deputet, mendoj që është gabim që tentojnë disa ta ndajnë: ata që flasin në favor të biznesit dhe ata që flasin në favor të konsumatorëve – ata që i atakojnë bizneset dhe ata që i mbrojnë konsumatorët.
Është detyrë e jona që me kriju kushte për bizneset sepse nuk ka shtet të zhvilluar dhe të qëndrueshëm ekonomik pa biznese të zhvilluara dhe të qëndrueshme ekonomikisht.
Në të njëjtën kohë, është përgjegjësi e institucioneve me u kujdesë për mbrojtjen e standardit të qytetarëve dhe të drejtat e konsumatorëve.”
Hamza kritikoi Qeverinë se po “shët mjegull”, duke kërkuar shpjegim se si është e mundur të mos rritet çmimi i produkteve esenciale kur rritet kostoja e prodhimit të tyre.
“Duhet të jemi të kujdesshëm. Nuk është e dëmshme, nuk është gabim, nuk është e turpshme ata që e mbrojnë Kushtetutën dhe ata që kërkojnë mos me u shkelë Kushtetutën. Po flasim për artikujt bazë, mbrojtjen e standardit të jetesës, më se e nevojshme. Mos të shesim mjegull, çka rregullon ky ligj? A përnime t’u thojmë qytetarëve të Kosovës që sot Kuvendi i Kosovës e aprovoi këtë ligj dhe çmimi i vajit, i bukës, i kripës, i sheqerit do të zbritet? Nëse rritet kostoja e prodhimit të cilitdo prej këtyre produkteve, si ka mundësi me u ulë çmimi?”, tha Hamza.









