Ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, iu përgjigj ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, lidhur me pretendimet për shkelje të të drejtave të serbëve nga Ligji për të huajt.
Konjufca tha se asnjë shtet nuk lejon që shtetasit e huaj të padokumentuar të qëndrojnë në territorin e tij dhe ia kujtoi Serbisë trajtimin që ua bën shqiptarëve në Luginë të Preshevës me pasivizimin e adresave.
“Bëhet dallimi i qartë midis shtetasve dhe të huajve. Asnjë shtet anëtar i OKB-së e as ata të Këshillit të Sigurimit nuk i lejojnë shtetasit e huaj të padokumentuar që të mbeten aty”, tha Konjufca, duke shtuar se Ligji për të huajt synon përmirësimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët.
Ai theksoi se ligji nuk është diskriminues për asnjërin komunitet.
“Është ligj me standarde evropiane, por ne nuk mund të lejojmë paralelizma. Ligji për të huajt përfaqëson obligimin që Kosova e ka marrë sipas Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim me BE-në”, shtoi ministri.
Konjufca gjithashtu theksoi se Kosova nuk synon të mbyllë institucionet shëndetësore e arsimore të komunitetit serb, por kërkon që ato të funksionojnë brenda kornizës ligjore të vendit.
Kjo ishte përgjigja ndaj pretendimit të Gjuriqit se universiteti i vetëm në gjuhën serbe trajtohet si strukturë paralele dhe e paligjshme. Gjuriqi gjithashtu deklaroi se Serbia nuk ka ndërhyrë në proceset zgjedhore, por vetëm ka inkurajuar pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje.









