Rasti që dikur u paraqit me një narrativë tjetër, më vonë mori përmasa krejtësisht të reja dhe serioze.
Bëhet fjalë për ngjarje të depozituara që nga viti 2023 në Prokurorinë Themelore në Prizren, të cilat janë trajtuar në mënyrë të pjesshme, por për çudi ende nuk kanë marrë epilogun e merituar. Në dosje ndodhen audioincizime dhe videoincizime që, sipas përmbajtjes së tyre, ngrejnë dyshime të forta për shantazh, kërcënime dhe incizime të paautorizuara në ambiente ku ka pasur pritshmëri të plotë për privatësi.
Sipas këtyre materialeve, dyshohet se incizimet janë përdorur nga Isni Jemini si mjet presioni për ta detyruar ish-partneren që të vazhdojë marrëdhënien kundër vullnetit të saj, duke e mbajtur atë nën presion të vazhdueshëm për një periudhë të gjatë kohore.
Për më tepër, megjithëse Prokuroria kishte hedhur kallëzimin penal në një fazë të mëhershme, Prokuroria e Apelit e ka kthyer çështjen në rivendosje, duke dhënë udhëzime të qarta për ndërmarrjen e veprimeve konkrete hetimore dhe vlerësimin e plotë të provave.
Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur se provat në këtë rast konsiderohen të bollshme e të forta, duke përfshirë materiale që dokumentojnë jo vetëm shantazhin dhe kërcënimet, por edhe pasojat e rënda psikologjike që i janë shkaktuar të dëmtuarës, si përjetime ankthi, pasiguri dhe presion i vazhdueshëm.
Në këto rrethana, një person që dikur paraqitej si viktimë, tashmë rezulton nën dyshime serioze si i përfshirë drejtpërdrejt në veprime që mund të përbëjnë vepra penale të rënda.
Ky është një rast që jo vetëm kërkon zbardhje të plotë, por edhe veprim të shpejtë institucional, sepse drejtësia që vonon, në raste të tilla, rrezikon të humbasë kuptimin e saj.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.









