Kreu i AAK-së hedh akuza të rënda ndaj kryeministrit dhe kritikëve në rrjete sociale, duke thënë se do të japin llogari para ligjit ose Zotit.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë akuza të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe zyrtares së Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, duke reaguar ndaj kritikave dhe sulmeve që, sipas tij, vijnë nga përkrahës të kësaj partie në rrjete sociale.
Haradinaj tha se gjatë kohës kur ai ishte në luftë, Kurti kishte lidhje familjare me një familje të lidhur me pushtetin serb.
“Kur kom luftu unë, edhe kanë luftu e vra plot shqiptarë, qeky flokqi, Albin Kurti, ka qenë dhëndër i ministrit të Brendshëm të Serbisë. Ka qenë në marrëdhënie dashurie me një serbe prej Prishtinës, çika e ministrit të Brendshëm të Serbisë”, ka deklaruar Haradinaj.
Ai u është drejtuar edhe komentuesve në rrjete sociale, të cilët sipas tij e sulmojnë vazhdimisht.
“I pyes këta e Dejonën dhe krejt këta që po flliqin në internet, me emër e pa emër të vërtetë që komentojnë, se krejt kanë me dhanë llogari, qoftë para ligjit apo para Zotit”, tha ai.
Haradinaj gjithashtu vuri në pikëpyetje angazhimin e disa personave për Kosovën, duke thënë se ata nuk e kanë përjetuar luftën dhe dhimbjen që, sipas tij, e kanë kaluar shumë qytetarë të vendit.
“Qysh ka mundësi Dejona e këta njerëz, që nuk kanë lindë në Kosovë, nuk kanë kalu dhimbjen që e kom kalu unë, me plagë në trup, e sipas jush ajo po e dojka Kosovën më shumë se unë”, është shprehur Haradinaj.









