Në maj të vitit të kaluar, vendi u trondit nga vdekja e dizajnerit të njohur Festim Isufi, i cili u gjet i vdekur në banesën e tij në rrugën B, në Prishtinë. Pas vdekjes së tij, u përhapën disa versione nëse i njëjti ishte vrarë apo vetëvrarë. Në mesin e këtyre versioneve, u përfshi edhe bashkëshortja e të ndjerit, Rina Maloku, për të cilën opinioni i gjerë la vend për dyshime.
Avokati i saj, Arianit Koci sot deklaroi se e njëjta u vendos në këtë pozicion padrejtësisht, duke shtuar se ga rezultatet e hetimeve zyrtare del se rrethanat e kësaj vdekjeje janë të natyrës personale.
Koci gjithashtu shton se me gjetjen e këtyre rezultateve vërtetohet se Maloku nuk lidhet me këtë vrasje në asnjë formë.
“Rina Maloku u vendos padrejtësisht në qendër të dyshimeve në një pjesë të opinionit publik pas vdekjes tragjike së bashkëshortit të saj, Festim Isufi. Nga rezultatet e hetimeve zyrtare del se rrethanat e kësaj vdekjeje janë të natyrës personale dhe nuk e lidhin znj. Rina Maloku me këtë rast në asnjë formë”, tha ai.
Në fund, avokati i saj kërkoi trajtim më dinjitoz të çështjes, pasi Maloku është përballur sipas tij me një barrë të padrejtë publike.
“Pas një humbjeje të rëndë personale, znj. Rina Maloku është përballur edhe me një barrë të padrejtë publike. Kërkoj nga opinioni që të ketë parasysh plagët e rënda shpirtërore që ky rast tragjik i ka lënë, dhe të tregojë kujdes e përgjegjësi në mënyrën se si trajtohet kjo çështje”, tha ai.









