Avokati i njohur, Arianit Koci ka dhënë detaje rreth marrjes përsipër të mbrojtjes juridike të Shkëlzen Gashit.
Ai ka thënë se bastisja në shtëpinë e tij është kryer pa urdhër të gjykatës.
“Nga dje, në cilësinë e avokatit, kam marrë përsipër mbrojtjen juridike të Shkëlzen Gashi. Rasti ka ngjallur reagime të forta publike, për shkak të ndjeshmërisë që përmban. Sidoqoftë, një fakt është i pamohueshëm: bastisja në shtëpinë e tij është kryer pa urdhër të gjykatës”, tha ai.
Koci thotë se gjatë kontrollit, Gashit i është prezantuar një autorizim i prokurorit për mbledhjen e provave, i bërë tashmë publik, i cili nuk e zëvendëson vendimin gjyqësor për bastisje.
“Për më tepër, ky dokument është komunikimi intern i Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës. Sipas nenit 36 të Kushtetutës, bastisja e banesës, konfiskimi i pajisjeve dhe ndërhyrja në komunikime lejohen vetëm me vendim gjyqësor, përveç rasteve urgjente. Një urgjencë e tillë nuk ekziston, sidomos kur kemi të bëjmë me veprimtari publike – ekspozitë në qendër të kryeqytetit.
Prandaj, vet mënyra se si është realizuar bastisja, ngutia e paarsyeshme e organeve shtetërore, e kontaminon çështjen e pretenduar penale që në fillim. Mbi të gjitha, procesi penal i filluar ndaj një personi për një ekspozitë publike të financuar nga Kuvendi i Kosovës, dhe me me leje për ekspozitë nga Komuna e Prishtinës, përbën një precedent të rrezikshëm për lirinë e shprehjes dhe veprimtarinë publike në përgjithësi”, tha ai.









