Pavarësisht që punuan më shumë se orari i punës për çka kanë nënshkruar kontratë, doktorët e infermierët në QKUK morën pagë vetëm për ato orë.
Përveç 8 orëve të rregullta të punës, doktorët e infermierët në këtë institucion punuan edhe më gjatë duke mbajtur kujdestari. Por, pavarësisht lodhjeve të orëve shtesë, në gjirollogaritë e tyre bankare kanë dal vetëm rrogat bazë.
Një gjë e tillë nuk ka ndodhur këtë muaj për herë të parë, këto orë shtesë mantilbardhëve nuk iu janë paguar as në muajin shkurt ndërsa në disa klinika as në muajin mars.
Këto informacione të siguruara nga lajmi.net janë konfirmuar edhe nga zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla.
“Ju njoftojmë se aktualisht, për shkak të kufizimeve në alokimet e parakohshme buxhetore, pagesën e kujdestarive dhe shtesave në page nuk janë realizuar për stafin e klinikave të QKUK-së. Ndërsa shumica stafit të klinikave kanë arritur të realizojnë pagesat për muajin janar, për muajin shkurt ende nuk janë ekzekutuar pagesat për kujdestari në nivel të tërë QKUK-së”, ka thënë Qyqalla.
Ajo ka thënë se menaxhmenti i QKUK-së është në komunikim të vazhdueshëm me Thesarin e Kosovës dhe ka dorëzuar të gjitha kërkesat e nevojshme për alokime shtesë buxhetore.
“Pra menaxhmenti është duke vazhduar angazhimin intensiv dhe koordinimin me institucionet përkatëse për të siguruar mbështetje financiare sa më shpejt të jetë e mundur. Të gjitha njësitë organizative të QKUK-së janë informuar që ta mbajnë stafin të njoftuar deri në rishikimin e buxhetit, sipas rekomandimeve te Thesarit”, ka thënë Qyqalla për lajmi.net.
Në lidhje me këtë situata, ka reaguar edhe Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, e cila e ka cilësuar si të papranueshme dhe neglizhencë institucionale mos pagesën e kujdestarive.
Në një reagim, kjo sindikatë është shprehur se mosdalja e pagesave për kujdestaritë gjatë muajit shkurt ka ngritur shqetësime serioze dhe të arsyeshme tek punonjësit shëndetësorë.
Duke qenë se buxheti i shtetit është miratuar tashmë prej dy muajsh, sipas sindikatës, është e pakuptueshme që kjo vonesë të arsyetohet me mungesë fondesh.
Përkundrazi, vijon reagimi, kjo situatë tregon qartë për probleme në ekzekutimin e buxhetit dhe mungesë të theksuar të koordinimit institucional.
“Kujdestarit janë obligim i rregullt dhe i planifikuar në sistemin shëndetësor, jo shpenzim i paparashikuar. Mosrealizimi i pagesave në kohë dëshmon për një neglizhencë të qartë institucionale—në përpunimin e listave, në aprovimet administrative apo në transferin e mjeteve financiare. Ky dështim nuk mund të arsyetohet ndryshe përveçse me mungesë efikasiteti dhe përgjegjësie nga strukturat përkatëse.”, thuhet në reagim.
Sindikatat kanë kërkuar urgjentisht identifikimin e saktë të shkakut të kësaj vonese dhe ndërmarrjen e masave konkrete për eliminimin e saj.
“I nderuar Albin Kurti, si Sindikatë e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së kërkojmë ndërhyrje të menjëhershme dhe llogaridhënie të plotë nga institucionet përgjegjëse. Miratimi i buxhetit nuk ka vlerë nëse ai nuk zbatohet në praktikë dhe në kohë për ata që mbajnë në këmbë sistemin shëndetësor.”, thuhet tutje në reagim.
Deri më tani, punëtorët shëndetësorë në QKUK, pra saktësisht Sindikata e Punëtorëve Shëndetësor të QKUK-së nuk ka paralajmëruar ndonjë masë si protestë apo grevë për pagesën e kujdestarisë, ndërsa nga Ministria e Financave apo ajo e Shëndetësisë nuk ka pas asnjë sqarim për këtë situatë.









