Komisioni për Buxhet në mbledhjen e sotme i ka dhënë dritën e gjelbër tri marrëveshjeve të rëndësishme kreditore, të cilat kanë ndikim në përmirësimin e sektorit energjetik dhe në blerjen e skanerëve për pikat kufitare.
Me 9 vota për është mbështetur projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Programin e Kredisë.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se kjo marrëveshje synon të përshpejtojë tranzicionin e Kosovës drejt energjisë së gjelbër në harmoni me aktin e BE-së.
“Kjo është një marrëveshje në shumë në shumë prej 80 milionë ngjashëm si ajo me KFW që është 80 milionë që synojmë rritjen e mbështetjes së Kosovës si vazhdimësi e asaj që kemi planin e rritjes së BE janë dy shtetet kryesore të BE Gjermani dhe Franca që kanë vendosur të na mbështesin si zgjerim i planit të rritjes që e kemi 882 milionë euro. Në këtë rast i kemi dy marrëveshje prej dy shteteve me nga 10% secila që bëjnë në tërësi 160 milionë euro. Synimi këtu është që në kuadër të reformave në planin e rritjes të ketë thellim në reformat e mëtutjshme sa i përket sektorit energjisë“, tha ai.
Me vota unanime, Komisioni për Buxhet i dha mbështetje edhe projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, dhe KfW, Frankfurt am Main, për Programin e Kredisë të Bazuar në Politika në sektorin e Energjisë dhe Klimës për Kosovën në vlerë 80 milionë euro, përmes së cilës synohen reformat në sektorin e energjisë.
Mbështetje absolute anëtarët e Komisionit për Buxhet i dhanë edhe projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Lehtësimi i Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor 2.0”.
Murati deklaroi se kjo marrëveshje synon rritjen e cilësisë së operimeve sa i përket tregtisë së mallrave dhe infrastrukturës përkatëse.
“Rregullimi i korridoreve dhe efikasiteti në pikat kalimet kufitare këto duhet të rindërtohen edhe pikat kufitare në mënyrë që të plotësojnë standardet e BE ka nevojë për investim kapital dhe digjitalizimi i proceseve që të lehtësohet qarkullimit të bëhet lajmërimi apo prezantimi i mallrave edhe para arritjes dhe parashihet blerja e instrumenteve siç është skanerët një e kemi donacion nga shteti amerikan, por ideja është që të blihen skanerë shtesë e njëra komponentë blerja e skanerëve për pikat tjera kufitare siç e kemi parë investimet në ta ka kthim tejet të madh sepse vetëm në 2 muajt e parë janë zënë vlera të mallrave apo parave të deklaruara“, tha ai.









