Një zhvillim i ri ka dalë në hetimin e vrasjes së 29-vjeçares Pamela Genini në Milano, pasi varri i saj është përdhosur dhe nga trupi mungon kafka.
Punonjësit e varrezave zbuluan të hënën, më 30 mars, se arkivoli ishte hapur me forcë dhe një pjesë e trupit ishte marrë. Autoritetet dyshojnë për përfshirjen e tre deri në katër personave, ndërsa motivi nuk është përcaktuar.
Prokuroria ka nisur hetim për përdhosje të trupit dhe vjedhje të një pjese të tij. Këto vepra parashikojnë dënim deri në shtatë vite burg sipas legjislacionit italian.
Ngjarja rikthen në fokus vrasjen e ndodhur në tetor 2025. Viktima u gjet e pajetë në ballkonin e banesës së saj, me më shumë se 20 goditje me thikë. Si i dyshuar kryesor qëndron ish-partneri i saj, 52-vjeçari Gianluca Soncin.
Hetuesit kanë mbledhur prova që tregojnë se ai e kishte ndjekur dhe kishte ushtruar presion për rikthimin e marrëdhënies. Ata besojnë se ai hyri në banesë duke përdorur çelësat që mbante ende.
Para sulmit, 29-vjeçarja kishte shprehur frikë ndaj tij në komunikim me një shoqe. Dëshmitarë në zonë raportuan se ajo kërkoi ndihmë gjatë momentit të sulmit.
Pas ngjarjes, i dyshuari tentoi të vetëdëmtohej në qafë, por mbijetoi. Ai ndodhet në paraburgim dhe përballet me akuza për vrasje dhe përndjekje, ndërsa hetimet për përdhosjen e varrit vazhdojnë.









