Mbrëmja e sotme shënon startin e një prej formateve më të shumëpritura në ekranin shqiptar, “Ferma VIP”. Ky reality show, që premton një kombinim mes jetës në natyrë, sfidave fizike dhe dinamika sociale mes personazheve të njohur, do të vijë këtë edicion nën moderimin e Arbana Osmanit, duke rritur edhe më shumë pritshmëritë e publikut.
Ndërkohë që kurioziteti për listën e plotë të banorëve vijon të jetë i lartë, tashmë është konfirmuar një emër që pritet të sjellë jo pak energji dhe humor në fermë: aktori i dashur për publikun, Elvis Pupa.
I ftuar së fundmi në podcastin “Zë me Mirën”, Pupa ka zbuluar më shumë detaje rreth vendimit për t’iu bashkuar këtij formati. Me stilin e tij karakteristik plot batuta, ai tregoi se nxitja kryesore erdhi nga bashkëshortja e tij, Belina, e cila e shtyu të provonte këtë eksperiencë të re.
“Mendjen për t’u futur te ‘Ferma VIP’ ma mbushi Belina. Herën e parë në Big Brother VIP, ika se 16 vjet me gruan. Thashë të rri 2 muaj në qetësi. Do ti që i pëlqeu kjo qetësi asaj, tha futu dhe te ‘Ferma’,” – u shpreh ai me humor, duke shkaktuar të qeshura.
Pjesëmarrja e Elvis Pupës pritet të jetë një nga pikat më të forta të këtij edicioni, duke marrë parasysh natyrën e tij spontane dhe aftësinë për të krijuar situata argëtuese.









