Debati i brendshëm në Iran për mundësinë e zhvillimit të armës bërthamore po intensifikohet, ndërsa zyrtarë të lidhur me Gardën Revolucionare dhe figura të linjës së ashpër po kërkojnë një rishikim të strategjisë së Teheranit. Lajmi raportohet nga Reuters, në kontekstin e përshkallëzimit të konfliktit me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin.
Sipas raportimit, Garda Revolucionare ka forcuar ndjeshëm ndikimin në skenën politike pas vdekjes së Udhëheqësit Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i cili u vra në fillim të luftës më 28 shkurt. Në këtë klimë, qëndrimet më të ashpra mbi programin bërthamor po fitojnë terren.
Megjithatë, burime të mirëinformuara theksojnë se nuk ka ende një vendim zyrtar për ndryshimin e doktrinës bërthamore apo për zhvillimin e armës. Diskutimi mbetet në nivel presioni politik dhe institucional për rishikim të kursit aktual.
Prej vitesh, vendet perëndimore vlerësojnë se Irani synon të sigurojë aftësinë për të ndërtuar armë bërthamore, ndërsa Teherani i ka mohuar vazhdimisht këto akuza. Autoritetet iraniane kanë theksuar se programi i tyre është civil dhe kanë referuar ndalimin fetar të shpallur nga Khamenei kundër armëve bërthamore, si dhe angazhimet në kuadër të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).
Megjithatë, zhvillimet e fundit duket se kanë ndryshuar klimën e brendshme. Sulmet amerikane dhe izraelite, të ndërmarra gjatë periudhës së negociatave, kanë nxitur zëra që vënë në dyshim nëse politika aktuale i garanton më siguri vendit.
Në këtë kuadër, po shtohen thirrjet për tërheqje nga Traktati NPT, një ide që më parë artikulohej kryesisht si presion politik, por që tani po diskutohet më hapur edhe në mediat shtetërore. Agjencia Tasnim, e afërt me Gardën Revolucionare, publikoi një artikull ku kërkon daljen sa më të shpejtë nga traktati, duke ruajtur programin civil bërthamor.
Edhe figura të tjera të linjës së ashpër kanë mbështetur këtë qasje. Politikani Mohammad Javad Larijani ka sugjeruar pezullimin e pjesëmarrjes në traktat dhe një rishqyrtim të dobisë së tij për interesat kombëtare.
Në diskursin publik janë shfaqur edhe deklarata më të drejtpërdrejta. Komentatori konservator Nasser Torabi, në një transmetim televiziv shtetëror, u shpreh se vendi duhet të veprojë për të siguruar armë bërthamore. “Duhet të ndërtojmë armë bërthamore. Ose do ta ndërtojmë, ose do ta sigurojmë”, deklaroi ai.









