Plava ia qet në “lëndinë” Murselit planin mizor për vrasjen e Liridonës – përballja me provat sot në gjyq

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është zhvilluar seanca e radhës lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, ku para trupit gjykues janë paraqitur të akuzuarit Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.

Gjatë seancës, Murseli ka vazhduar të mbrojë versionin e tij se ngjarja ishte një grabitje që kishte për synim vetëm paratë dhe telefonat, pavarësisht përballjes me prova nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, të cilat hedhin dyshime mbi këtë pretendim.

Dermaku e ka ballafaquar me prova të akuzuarin duke faktuar se Liridona në natën kritike kishte pasur stoli të arit (dy bylyzykë dhe një unazë). Murseli paraprakisht tha se Liridona nuk ka pasur me vete gjëra me vlerë.

Pas kësaj ai deklaroi para trupit gjykues se në momentin e grabitjes, grabitësi kishte kërkuar vetëm para dhe telefona.

“Këtë pyetje më ka bërë edhe prokurorja kur kam qenë në prokurori dhe po ju përgjigjem edhe juve: Në momentin e grabitjes të vetmen gjë që e ka kërkuar kanë qenë telefonat dhe paratë, nuk ka kërkuar gjë tjetër”, tha Murseli.

I akuzuari u përball edhe me dëshminë e tij paraprake ku kishte thënë që fëmijët ishin larguar nga vetura nga e njëjta derë, teksa gjyqtarja nga paraqitja e provave e pyeti se si do kishte mundësi të ndodhte një gjë e tillë dhe të mos lëvizte lodra e fëmijëve.

“Nuk e di gjyqtare. Po të tregoj qysh ka ndodhë”, tha Murseli.

E arma me të cilën u vra Liridona Ademaj ishte blerë nga vetë Murseli teksa ky i fundit para trupit gjykues tha se atë e kishte blerë për shkak se i akuzuari tjetër në këtë rast, Granit Plava i kishte thënë se mund ta shiste më shtrenjtë.

Ai shtoi se nuk do të kishte përfitim nga kjo shitje, por qëllimi i tij ishte ta ndihmonte Plavën të cilin e kishte bashkëfshatar.

Para trupi gjykues, Naim Murseli tha se më vonë e kishte zbuluar që ajo armë ishte përdorur për ta vrarë Liridona Ademajn.

Ai gjithashtu deklaroi se Liridona i kishte kërkuar të ndalej në momentin kritik, për çka tha se e dëgjoi bashkëshorten.

“Ajo ka thënë ndalu, ndalu, unë u ndala. Vendim i gabuar, po çka me bë”, u shpreh i akuzuari.

Më pas, kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku e pyeti të akuzuarin se a e kishte kthyer kokën prapa kur po ikte me fëmijët, për të parë nëse Liridona po i ndiqte nga pas, pyetje së cilës ai iu përgjigj me “jo”.

“Jo nuk e kam kthyer. Kur e kemi dëgjuar krismën kemi ikur, kam menduar që në drejtim tonë ka gju”, tha Naim Murseli.

Ndërkaq, i akuzuari tjetër në këtë rast, Granit Plava, ka ndryshuar deklaratën e tij gjatë seancës së sotme gjyqësore, duke thënë se vrasja është kryer në bashkëpunim me Naim Murselin.

Në dëshminë e tij, ai u tërhoq nga ajo që kishte thënë më parë, duke pretenduar se deklarata e mëhershme ishte bërë si pjesë e një marrëveshjeje me Murselin dhe se tani po rrëfen të vërtetën.

Sipas Plavës, ai kishte pranuar të marrë fajin për krimin, ndërsa thekson se Murseli i kishte premtuar se nuk do të vuante më shumë se dy vjet burg, si dhe do të përfitonte një vend pune, pagë mujore dhe veturë luksoze.

Në seancën e kaluar, ishte Prokuroria ajo që kishte ngritur dyshimet se krimi i rëndë ndodhi për arsye të përfitimit financiar. Ky institucion i ka rrumbullakuar të gjitha borxhet e Naim Murselit që i ka deri më tash, ku rezulton se i njëjti i ka rreth 500 mijë euro borxh.

Ndërsa në seancën e 29 janarit, Naim Murseli pati thënë para trupit gjykues se nuk ka pasur asnjë marrëveshje për ta vrarë Liridonën.

Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023 në ora 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë të Prishtinës.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit