Prezantuesja dhe ylli televiziv australian, Mel Schilling, e njohur nga shfaqja “Married at First Sight”, ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare, pasi kanceri i përhapur në tru e mundi.
Bashkëshorti i saj, Gareth Brisbane, tha se Schilling ndërroi jetë e rrethuar nga dashuria.
“Në momentet e saj të fundit, kur mendova se kanceri ia kishte hequr aftësinë për të folur, ajo më afroi dhe më pëshpëriti një mesazh për mua dhe Maddie-n që do të më mbështeste për gjithë jetën time. I mori të gjithë forcën e saj të mbetur… Edhe atëherë, mendimi i saj i vetëm ishte për mua dhe Maddie-n,” shkroi ai.
Ai shtoi se në moshën 42-vjeç ajo u bë nënë dhe yll televiziv, duke pasur sukses në të gjitha këto.
“Kjo është një grua që, gjatë dy viteve të kimioterapisë, kur mezi e ngrinte kokën nga jastëku, nuk u ankua kurrë dhe nuk pushoi së treguari guxim, hir, dhembshuri dhe empati dhe nuk humbi asnjë ditë xhirimesh,” deklaroi ai.
Schilling kishte njoftuar në Instagram më 12 mars se vuante nga kanceri terminal, pas diagnostikimit me kancer të zorrës së trashë në dhjetor 2023. Në shkurt të vitit 2024 iu hoq një tumor me madhësinë e një limoni, por më vonë iu zbuluan nyje në mushkëri. Më pas ajo iu nënshtrua 16 cikleve të kimioterapisë. Në dhjetor të vitit 2025, ekipi i saj i onkologjisë i tha se nuk kishin më mundësi të ndihmonin.









