Ushtria amerikane njoftoi të martën se kishte kryer një sulm me bomba të drejtuara 2.5 tonëshe që depërtojnë blindazhin në bazat raketore iraniane përgjatë Ngushticës së Hormuzit .
“Disa orë më parë, forcat amerikane përdorën me sukses municione të shumta me depërtim të thellë prej 5,000 paundësh në bazat raketore të fortifikuara iraniane përgjatë vijës bregdetare iraniane pranë Ngushticës së Hormuzit”, tha CENTCOM.
Duke shpjeguar arsyen e sulmit, CENTCOM tha në postimin e saj se raketat iraniane anti-anije në këto objekte përbënin një rrezik për transportin detar ndërkombëtar.
Kujtohet se të hënën, komandanti i CENTCOM-it, Admirali Brad Cooper, tha se SHBA-të do të “vazhdojnë të degradojnë me shpejtësi aftësinë e Iranit për të kërcënuar lirinë e lundrimit në dhe përreth Ngushticës së Hormuzit”.
Çfarë është bomba GBU-72?
Një zyrtar amerikan i cituar nga CNN tha se municionet ishin GBU-72 Advanced 5K Penetrator, një bombë e hedhur nga avionë amerikanë për herë të parë në vitin 2021.
Bomba GBU-72 u “zhvillua për të adresuar sfidat e objektivave të fortifikuara dhe të varrosura thellë”, tha një deklaratë e Forcave Ajrore në vitin 2021.
Në një video të publikuar në vitin 2023 nga Baza Ajrore Nellis, pilotët i përshkruan bombat si “ndryshe nga çdo gjë që kemi tani”.
“Ky është një sistem i udhëhequr nga GPS, jo një lazer, kështu që pavarësisht nëse bie shi, qoftë me diell, qoftë me borë do ta godasë objektivin”, tha në atë kohë një zyrtar i Forcave Ajrore Amerikane.
Mbyllja efektive e kësaj rruge ujore nga Irani, përmes së cilës kalon rreth 20% e dërgesave të naftës në botë, ka ndërprerë ndjeshëm trafikun detar dhe ka kontribuar në rritjen e çmimeve globale të naftës.
Bombat e mëdha, të quajtura “shkatërruese bunkerësh”, të cilat thuhet se kushtojnë rreth 288,000 dollarë secila janë më pak të fuqishme se bombat prej 13,600 kilogramësh që SHBA-të përdorën vitin e kaluar kur sulmoi tre objekte bërthamore nëntokësore në Iran.
Ndryshe nga bombat konvencionale, ato nuk janë të krijuar të shpërthejnë në ajër, në tokë apo në sipërfaqe të objektivit. Ato janë të mbështjella me çelik të rëndë dhe të fortifikuar dhe janë krijuar për të depërtuar thellë në tokë para se të shpërthejnë.









