“S’di si do t’ia dalim, është shumë shtrenjtë!” Ky është shqetësimi që përsërisin qytetarët e Kosovës, ndërsa përballen çdo muaj me faturat e energjisë elektrike.
Pyetja që secili i bën vetes është e njëjtë, “A do të mund të mbajmë familjen pa u rënduar nga shpenzimet? Ky shqetësim rritet edhe më shumë tani, pasi Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike KESCO ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE) rritje të çmimit deri në mbi 20 për qind të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026.
Ndërsa, sipas njohëseve të kësaj fushe, arsyeja kryesore për rritjen e paralajmëruar lidhet me një sërë faktorësh të akumuluar, përfshirë zvarritjen e procesit të hapjes së tregut të energjisë, mungesën e investimeve serioze në prodhimin e brendshëm dhe efiçiencë, si dhe vonesat në integrimin e tregut të Kosovës me rajonin.
Ndërsa vendimi pritet të merret me 1 prill, qytetarët bëjnë thirrje shtetit që të ndërhyjë në këtë drejtim. Qytetari, Sherafedin Kulinxha thotë se çdo tre muaj çmimet rriten dhe se pensioni i tij nuk mjafton për të përballuar shpenzimet.
“Me t’thonë të drejtën unë s’po di, çdo tre muj po rritet, çka o puna s’e di…I, ka dhonë Zoti e fëmija janë bërë se veç s’kishim mujt kurqysh…Qysh s’është shtrenjtë? Kur çdo tre muj rritet. Çka pret? Të ardhurat, të ardhurat në pension qe shtatë vjet që jam dalë, një herë q’atëherë m’u rrit edhe që tash para nja një vjeti. Domethënë, gjashtë vjet e tash. Bëne hesap sa, sa u rritën çmimi prej atëherë, qe shtatë vjet…Po shteti me qenë qysh duhet, u kanë mirë, por po duket që s’po nin për kërkon, veç për vete”, thotë ai.
E për qytetarin, Bashkim Muçiqi ky parlajmrim është skandal.
“Është skandale për mu personalisht. S’di qysh do të mundemi me ja arrit me këto paga, me këto. Domethënë është shumë, shumë e dëmshme për ekonominë familjare, për të gjitha në përgjithësi…Është dashtë me ndërhyrë (shteti) po si po duket s’kanë kurrfarë organizimi. Për momentin e dimë qysh është gjendja aktuale me, me qeveri, me president, me të gjitha…Eshtë shumë shtrenjtë, pak është shumë shtrenjtë sa duke marrë parasysh çfarë obligime kena të përditshme, konsumet e përditshme, domethënë, shkollimi, jeta, ato të gjitha… Edhe pagat plus 20% tash s’di, s’di si do t’ia dalim veç ishalla, po shpresojmë për një ndërhyrje të ministrisë ose diçka, me bo diçka me rregullu diçka këtë çështje”, thotë ai.
Blerim Krasniqi thekson se vendimi për rritjen e çmimeve nuk është i qëndrueshëm për familjet, derisa thotë se këtu duhet të nderhyje qeveria.
“Duhet të nderhyjë qeveria…Nuk është normale. Është përtej asaj që njerëzit mund me përballu një pagesë të tillë të shpenzimit të energjisë elektrike. Këtu ka ndikim edhe vendosja e pajisjeve për ngrohje dhe ftohje, për ata ka edhe rritje të konsumit, këta po e arsyetojnë me atë që rritja e konsumit e bën edhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike”, thotë ai.
Muharrem Kasumi thekson nevojën për një politikë energjetike të mençur dhe orientim strategjik drejt Perëndimit, duke përfshirë qytetarët, shtetin dhe opozitën në vendimmarrje.
“Është mirë me u marrë edhe në parasysh edhe kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, mirëpo duhet të marrim në mënyrë shumë të dimensionale. Duhet të kqyret inflacioni, duhet të kqyret edhe politikat në rreth, mundësitë e blerjes së transmetuesve të rrymës elektrike, sa ato kushtojnë në shtet….Kjo është një çështje që ka qenë, që është dashur me qenë më relative dhe shteti me bo punën e vet, opozita punën e vet, qytetarët punën e vet… Pothuajse është mundësia e fundit që Kosova ose të rimëkëmbet, qoftë me rrymë sepse rryma është produkt strategjik, dhe nëse kemi një produkt strategjik i cili është në varshmëri gjithherë nga jashtë, atëherë do të thotë që edhe shteti jonë është i dobët dhe nuk kemi një shtet efektiv…Edhe qytetarët, edhe shteti, edhe pushteti, edhe opozita, se përndryshe është në pyetje shteti jonë, ekzistenca jonë. Duhet të kemi një politikë të mençur, të orientuar kah perëndimi, kah nevojat tona strategjike dhe me mençuri dhe me një bashkëpunim të madh”, shprehet ai.
E shtrenjetimin e tarifave nuk e përjashton as hulumtuesi i lartë në Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Dardan Abazi.
Ai thotë se vonesat në prodhimin e brendshëm dhe në hapjen e tregut të energjisë ndikojnë direkt në rritjen e çmimeve. Ai thekson se qytetarët duhet të kompensohen për importet me çmime të larta dhe kërkon publikimin sa më shpejt të raportit konsultativ të ZRRE-së.
“Për sa kohë sistemi energjetik nuk i kryen me kohë punët e veta, për sa kohë politika vazhdon të zvarrisë procesin e hapjes së tregut, procesin e shtimit të prodhimit të brendshëm, procesin e investimit në efiçiencë, procesin e investimit në rrjetë, konkurrencën e lirë të tregut, integrimin e tregut të Kosovës me rajonin, përderisa në të gjitha këto fusha ne jemi vonë, atëherë normalisht do të kemi shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike, sepse kërkesa e brendshme ka vazhduar të rritet edhe vitin e kaluar, ndërkohë që ne nuk kemi pasur prodhim të mjaftueshëm, prodhim të decentralizuar, i cili do të mbulonte këtë kërkesë të brendshme. Në këtë situatë, kemi informacione që është thyer prapë rekordi i kërkesës për energji në muajin dhjetor dhe ky rekord sipas informatave që i kemi ka shkuar mbi 1 mijë e 600 MË, që do të thotë se një pjesë shumë e madhe e kësaj përqindje është importuar nga jashtë me çmime shumë të larta, çka do ta ndikojë shtrenjtimin e energjisë elektrike…Mendojmë që këto duhet të kalkulohen në tarifë si një minus që u hiqet qytetarëve në formë të dëmshpërblimit dhe pastaj, tek pastaj të shihet se a ka nevojë apo jo të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike”, thotë Abazi.
Ai derisa thotë se po përgadisin komentet që do të dorozjne, shprehet se ZRRE-ja nuk ka kapacitete të mjaftueshme që t’i bëjë vizitat në terren, të shohë në qoftë se ato trafo që po shkruhen se po investohen vërtetë janë ardhë të tilla.
“Ne si INDEP jemi duke përgatitur komentet tona, po presim që raporti konsultativ i ZRRE-së të publikohet. Tashmë është vonuar dhe ne i bëjmë thirrje ZRRE-së që sa më parë ta publikojë këtë raport, të japë sa më shumë detaje rreth asaj se si ka ardhur deri tek kalkulimi i çdo kosto, të ketë një raport të veçantë edhe tek inspektimeve që ka realizuar ZRRE-ja sa i përket investimeve që ndodhin, sepse operatorët e kanë një plan të investimeve të aprovuar, mirëpo për këtë plan duhet të kemi edhe vizita në terren. Ne jemi të shqetësuar që ZRRE-ja nuk ka kapacitete të mjaftueshme që t’i bëjë vizitat në terren, të shohë në qoftë se ato trafo që po shkruhen se po investohen vërtetë janë ardhë të tilla, vërtetë kanë ardhur të reja, nuk kanë ardhur të vjetra e t’i faturohen qytetarëve të reja”, thekson Ejupi.
ZRRE pritet të shqyrtojë këtë kërkesë nga KESCO dhe do të marrë vendim nëse do ta pranojë apo jo.
Sipas kësaj kërkese të dorëzuar në ZRRE, KESCO ka kërkuar që të hyrat e lejuara maksimale për vitin e ardhshëm të jenë 528.78 milionë euro.
“Pas marrjes në konsideratë të shpenzimeve të pritshme për vitin e ardhshëm, kërkesa për të hyrat e lejuara maksimale për vitin 2026 është 528.78 milionë euro”, thuhet në kërkesën që kjo kompani ia ka dorëzuar Rregullatorit të Energjisë.
Kujtojmë se në maj të vitit 2025 , ZRRE-ja kishte miratuar rritje të tarifave për 16.1 për qind krahasuar me vitin 2024.
Në vitin 2023, ZRRE-ja pati aprovuar rritjen e çmimit të rrymës për 15 për qind.
Në vitin 2024, tarifat ishin ulur prej 8 për qind për konsumatorët familjarë që shpenzonin mbi 800 kilovatë si dhe për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind.









