Teologu, Behar Mjekiqi ishte i ftuar në emisionin Adresa ku ka dhënë një qëndrim të fortë lidhur me shpërndarjen e vitrave dhe trajtimin e vajzave pas martesës, duke theksuar se kjo është një padrejtësi e thellë dhe një traditë që nuk përputhet me parimet islame.
Sipas Mjekiqit, dhënia e vitrave vëllait, motrës, djalit apo vajzës, veçanërisht kur vajza lihet pas martesës pa përkrahje, tregon mungesë përgjegjësie dhe sjellje të ulët morale. Ai shton se nëse prindërit nuk kanë mundësi financiare, kjo është e kuptueshme, por nëse kanë mundësi dhe e lënë vajzën në vështirësi, kjo është një padrejtësi e madhe dhe një zakon i keq i traditës shqiptare.
“Kam dëgjuar shumë raste kur vajzave dhe djemve u është bërë padrejtësi. Islami nuk i ka bërë të padrejtë, padrejtësitë burojnë nga disa zakone të ashpra të traditës shqiptare, të cilat shpesh kanë qenë shtypëse ndaj vajzave dhe grave,” tha Mjekiqi.
Ai theksoi se në disa raste, vajzat nuk lejohet të vizitojnë familjen e tyre për periudha të gjata pasi martohen, ndërsa djemtë shpesh marrin mbështetje të plotë nga prindërit, duke përfshirë pensionin ose ndihmën financiare dhe kujdesin për jetën e tyre. Ndërkohë, vajzat, sapo martohen, shpesh lihet pas dore, madje edhe kur kanë nevojë për shërbime shëndetësore.
Mjekiqi e përshkruan këtë sjellje si zullum që nuk pranohet nga feja dhe që nuk është në përputhje me parimet morale.
“Kjo është padrejtësi që Zoti nuk e do, feja nuk na e mëson dhe as ne nuk e pranojmë. Vajza ka më shumë të drejtë se djali në shumë raste.”
Ai shtoi se realiteti shoqëror është shqetësues: “Ti e sheh, djalin e ndihmon me pension, i blen veturë, i rregullon krejt jetën, ndërsa vajzën, sapo e marton, nuk merresh më me të – a ka, a nuk ka, a është e sëmurë, apo nuk shkon në spital për vizitë. Kështu jemi bërë një shoqëri që nuk jemi as shqiptarë, as muslimanë, as njerëz – nuk po e di çfarë po bëjmë.”
Mesazhi i tij ishte i qartë: trajtimi i drejtë i vajzave dhe grave është përgjegjësi morale dhe fetare, dhe traditat që i shtypin ato duhet të reflektohen dhe ndryshohen.









