Një grua shqiptare ka vdekur në Itali.
Ajo ishte goditur nga një veturë e tipit FIAT 500, e cila drejtohej po ashtu nga një grua pasi e kishte çuar vajzën e saj në shkollë.
Ngjarja tragjike ku humbi jetën 32 vjeçarja Xhulijana Guna, mori vëmendjen e mediave italiane.
Rasti i rëndë raportohet se ka ndodhur të premten rreth orës 09:00 përgjatë autostradës shtetërore 18, menjëherë pas kthesës në Santa Cecilia.
“Një rrugë që vazhdon të marrë viktima”, thanë disa banorë vendas, të tronditur nga incidenti.
Karabinierët dhe policia e trafikut dolën në vendngjarje për të kryer hetime, së bashku me paramedikët, të cilët mundën vetëm të konfirmonin vdekjen e gruas.
Rruga u mbyll për një kohë të gjatë për të lejuar operacionet e shpëtimit dhe hetimet.
Burri i viktimës, i cili mbërriti në vendngjarje pak më vonë, ishte në gjendje shoku, shkruajnë mediat atje.








