Kryeministri Albin Kurti tregoi se nuk e sheh si favor dhënien e datës 28 dhjetor nga presidentja Vjosa Osmani për mbajtjen e zgjedhjeve të kaluara.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur deklaratave të presidentes Vjosa Osmani për datën e zgjedhjeve të kaluara, pra 28 dhjetorit.
Kurti ka thënë se zgjedhjet nuk kanë mundur të mbahen përpara.
“Për mendimin tim zgjedhjet nuk ka qenë e mundur të mbahen më 21 dhjetor, sepse ekzistonte shkresa nga KQZ-ja që thoshte se e kanë të pamundur organizimin e zgjedhjeve më 21 dhjetor, për sfidat teknike e logjistike. Nuk ka pasur mundësi tjetër për datë, përveç 28 dhjetor, nëse dikush do të mendonte se ka qenë e mundur më 4 janar, as kjo nuk ka qenë e mundur për shkak të aspektit buxhetor”, tha Kurti.
Kurti duket se ‘kërcënoi’ partitë opozitare, duke thënë se nuk ka nevojë të mbahen zgjedhje, që të synohen 80 deputetë.
“Unë nuk kam se çka të shtojë prej konerencës për media që kam pasur para 1 jave, dhe nuk është e nevojshme ta përsëris veten, presidentja është kreu i shtetit ku unë jam kryeministër, dhe unë besoj që kemi një çështje që tash ndodhet në Gjykatë Kushtetuese, theksi duhet të vihet se vitin e kaluar kemi pasur katër palë zgjedhje. Nuk kemi nevojë ta përsëritim vitin 2025, është e domosdoshme të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit, dhe qytetarët e republikës presin stabilitet, e jo zgjedhje të përsëritura. Nuk ka nevojë për zgjedhje të reja. Ka nevojë të kemi sa më parë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e të fillojë Kuvendi të punojë. Pasi janë vonuar marrëveshje ndërkombëtare, pasi Kuvendi nuk po punon. Nuk bëhet fjalë kush e ka shumicën dërmuese, VV-ja ka fituar me 51%, çështja është te kuroumi prej 80 deputetëve, e nuk na duhen zgjedhje të reja për të pasur garë se a po i bëjmë 80 deputetë”, tha Kurti.
Kurti bëri të ditur se sot do t’ua dërgojë ftesat për takim liderëve të partive në opozitë.
“Së pari, unë kam zhvilluar tri takime me kryetarin e LDK-së e dy me kryetarin e PDK-së, në 48 orët e fundit para se të mbërrijmë te mesnata e 5 marsit nuk pati asnjë takim. Mendoj se kjo ka qenë dëm dhe gabim, është dashur të takohemi edhe në 48 orët e fundit. Vetëm kur u bë e pamundur figura konsensuale, vetëm kur PDK-ja kërkoi që t’ia sigurojmë votat për të dy kandidatët e saj pa na treguar emrat, ne nxorëm emrin e Glauk Konjufcës, sërish pritëm, u refuzua takimi me mua, e tri orë para mesnatës, e nxorëm emrin e Fatmire Mulhaxha Kollçaku. Me krerët e partive opozitare duhet të takohemi, qysh sot do t’iu dërgoj ftesa të takohemi në fillimin e javës së ardhshme”, tha ai.
Rreth 4 muaj pas, vetë presidentja Vjosa Osmani në një intervistë të dhënë të hënën në Syri Tv ka konfirmuar se akuzat e opozitës drejt saj për caktimin e datës së zgjedhjeve qëndronin.
Osmani në këtë intervistë, duke folur për akuzat drejt saj që po bëhen nga kampi i Albin Kurtit pas prishjes për punën e presidentit, ka pyetur nëse kishte bërë puç kur ia kishte dhënë Vetëvendosjes 28 dhjetorin si datë të zgjedhjeve.
“Ka akuza që unë dhe presidenti Begaj kemi lobuar për rrëzimin e Qeverisë Kurti, ai takim ka qenë në shtator ku ne jemi ftuar në emër të sekretarit të Thesarit, të përfaqësuesit të Trump për misione speciale dhe ka qenë një person i tretë që udhëheq Bankën për Eksporte dhe Importe, e gjithë Evropa Juglindore ka qenë aty, kemi diskutuar edhe me Kroacinë dhe kemi thënë që nëse mungojmë mund të keqkuptohemi. Në tokë Amerikane ta refuzosh pjesëmarrjen është absurde”, ka thënë ajo.
Osmani duke folur për takimin në SHBA, ka thënë se ai ka ndodhur në muajin shtator dhe ka numëruar disa prej vendimeve të saj që i konsdieron si të marra në favor të Qeverisë Kurti.
“A ia paskam organizuar unë puçin z. Kurti duke ia dhënë datën 28 dhjetor a, duke ia hequr masat Kosovës, duke i sjellë njohje Kosovës ia paskam organizuar puçin, duke i vizituar komuna te Kosovës që drejtohen nga LVV ia paskam organizuar puçin, duke pritur diasporën ia paskam organizuar puçin. Nëse të gjitha këto konsiderohen puç, po rikthehem te ajo që e thash më herët, kur aleatja më e fuqishme e tyre trajtohet kështu, llogaritni të tjerët. Është për keqardhje dhe secili prej nesh do të duhej t’i mbronte institucionet e jo të bëhet thirrje për pushkatim të presidentes të bazuar në gënjeshtra të pastra”, ka deklaruar Osmani.









