Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, gjatë një konference për media theksoi se opozita nuk duhet të përsërisë gabime dhe duhet të marrë mësim nga vendimet politike të mëparshme.
Ai përmendi mosvotimin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit vitin e kaluar, duke e cilësuar këtë si një gabim.
“Ju e dini që edhe Haradinaj dhe deputetët që kanë qenë në atë legjislaturë kanë qenë mjaft recidivë. Ejani të bashkohemi, sepse nuk kemi kushte. Nuk kemi pasur kushte për bashkim dhe kanë qenë numrat për ta bërë qeverinë. Është gabim që këtë duhet ta përmirësojmë. Nuk guxon opozita të shkojë nga një gabim në gabimin tjetër. Kemi gabuar në atë kohë edhe me mosvotimin e kandidates së atëhershme për kryetare. Sipas leximit tim, ulësja e kryeparlamentarit gati se është e garantuar për partinë e parë, ndërsa presidenti jo. Ai debat vetëm shkakton diskurs publik të panevojshëm”, tha ai.
Tahiri ndër të tjera theksoi se vendi po përballet me një situatë të rëndë politike dhe ekonomike.
“Sot jemi në rrezik. Shteti është në buzë të kolapsit, ekonomia është para falimentimit dhe qeveria është jofunksionale. Nuk ka mundësi që tash me pasë komoditet. Një unifikim serioz mbi kauzën do të ishte i nevojshëm”, deklaroi Tahiri para mediave.









