spot_img
spot_img
Wednesday, March 11, 2026
spot_img
spot_img

“Kemi bërë marrëveshje parimore, për shtet pa korrupsion”- Ja çka thonin Kurti e Osmani kur zyrtarizuan koalicionin, por tani “të ndarë përgjithmonë”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, janë dy personat që kur garuan bashkë në një listë, arritën të korrin një fitore të madhe.
Ata të dy, para se të dinin nëse do të fitonin apo jo, i kishin ndarë rolet mes tyre, Kurti do të ishte Kryeministër e Osmani do të ishte Presidente, duke bërë kështu një dyshe që nuk pritej se do të ndaheshin keq.

Para zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, Kurti e Osmani dolën para mediave të konfirmonin atë që veçse dihej e përflitej.


Para mediave, Osmani ia la Kurtit “nderin” të zyrtarizonte koalicionin mes tyre.

“Me subjektet tona politike, do të na gjeni në të njëjtin vend dhe për të njëjtin qëllim. Kemi bërë marrëveshje parimore, për një shtet me drejtësi dhe pa korrupsion, shoqëri me punësim, arsim për të gjithë qytetarët. Në fushatën zgjedhore do të jemi dhe angazhohemi bashkë”, kishte thënë Kurti më 14 janar 2021.

Në këtë marrëveshje specifikoheshin qartë postet që do të kishin ata të dy.

“2020 ka treguar se Kosova ka nevojë për Kryeministër të ri, por edhe për Presidente të re”, thoshte Kurti atë kohë.

Para mediave foli edhe Osmani e cila thoshte se bashkimi mes tyre ishte përtej asaj të një liste, por ishte bashkim rreth kauzës parimore.

Në zgjedhjet e shkurtit të 2021-ës, VV në listën e përbashkët me Guxon e Osmanit kishte marrë 50,28%, duke e konstituuar kështu Kuvendin dhe formuar Qeverinë e Kosovës.

Në krye të Kuvendit të Kosovës u emërua Glauk Konjufca nga VV, në krye të Qeverisë Albin Kurti për t’i hapur kështu rrugë edhe zgjedhjes së Presidentit.

Më 4 prill të 2021-ës, Vjosa Osmani në garë me Nasuf Bejtën, e fitoi atë në raundin e tretë të votimit me 71 vota për, ndërsa në sallë ishin 82 deputetë.

Në këtë seancë nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ata të Listës Serbe. Kuorumin për zgjedhjen e Osmanit ia mundësoi ish-partia e saj, Lidhja Demokratike e Kosovës, që është në opozitë.

Osmani, 38-vjeçare, ishte kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për postin e presidentit, parti kjo që udhëheq edhe me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës.

Në adresimin e saj të parë pas zgjedhjes, Osmani tha para deputetëve se ky post e mvesh atë me përgjegjësi të madhe.

“Sot është dita kur vullneti juaj (i qytetarëve) i shprehur më 14 shkurt po jetësohet”, tha Osmani, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit, ishte personi më i votuar, duke siguruar mbi 300 mijë vota.

Ajo po atë ditë, u zotua edhe se do të jetë një figurë unifikuese, por gjatë pesë vjeçarit të saj si e para e shtetit ajo duket se nuk ia doli ta bëj këtë.

Gjatë pesë viteve ajo vazhdimisht u akuzua se po ia mbante anën Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit, duke marrë vendime që e favorizojnë atë. Disa herë ajo nga opozita u quajt edhe “notere e Kurtit”, por që duket se i gjithë mundi i saj për t’i ndihmuar Kurtit nuk mjaftoi.

Madje se shërbeu në kuadër të Kurtit dhe kërkesave të tij, e pranoi edhe vetë.

Osmani e tha pa e mbuluar politik-isht se “ia dhashë Albin Kurtit 28 dhjetorin (datën e zgjedhjeve) dhe ia prita diasporën.” Këtë e tha në kontekstin e akuzave dhe pretendimeve që tashmë kanë nisur nga pushteti se Osmani [sic] është pjesë e një komploti për pamundësimin e qeverisjes së Albin Kurtit, të quajtur edhe “Puç.” .

Ajo e shtroi si kundërpyetje se “si qenka Puç?” kur ajo u bë instrumentale në caktimin e asaj date të zgjedhjeve me pritjen e pranisë së diasporës. Por, ky partizanizëm presidencial, la të kuptojë ajo, nuk iu reciprokua në favor nga Albin Kurti, i cili thjesht s’e rikandidoi, anipse zotimin ia kishte dhënë se po.

“A ia paskam organizuar unë pas shtatorit puçin zotrit Kurtit duke ja dhënë datën 28 dhjetor…duke ia pritë diasporën”, deklaroi ajo.

Në fund të mandatit të saj qeverisës, Kurti vendosi ta “prish” këtë koalicion me Osmanin që i ndihmoi të korrë një fitore plebishtare më 14 shkurt 2021.

Ai nuk e propozoi atë për Presidente të Kuvendit të Kosovës por e zëvendësoi me Glauk Konjufcën i cili nuk arriti të zgjidhet pasi në sallë nuk kishte kuorum. Mos-propozimi i saj nga Kurti, pavarësisht se ajo ishte shprehur e gatshme edhe për një mandat në krye të shtetit, prishi dukshëm raportet mes tyre.

Ajo pasi Kurti e “tradhtoi”, doli dhe foli publikisht për shumë gjëra që kishin ndodhur mes tyre gjatë viteve të fundit.

Në një intervistë për Çim Pekun nga Syri Tv, Osmani tha se Kurti i kishte thënë në vazhdimësi se është “presidentja më e mirë e shekullit XXI”.

“Arsyeja pse unë në fund të vitit të kaluar kam dalë publikisht duke thënë që synoj, gjithmonë nëse është vullneti i deputetëve, ka qenë vullneti i popullit sepse më kanë kontaktuar çdo ditë që unë të rikandidoj. Arsyeja e dytë ka qenë zotimi i vetë kryeministrit Kurti, i cili ka thënë se do të më përkrahte. Kjo ka ndodhur gjatë diskutimeve tona edhe pas zgjedhjeve. Ne kemi diskutuar që të vazhdojmë këtë rrugëtim bashkë si binomi që i dha shpresë Kosovës. Ai ka vlerësuar punën time duke thënë që “je presidentja më e mirë në shekullin XXI”. Këtë vlerësim e ka thënë edhe pas zgjedhjeve. Arsyeja e tretë ka qenë hapja e një kapitulli të ri me Shtetet e Bashkuar të Amerikës”, tha Osmani.

E më pas, ajo edhe tregoi pse Kurti nuk e propozoi për Presidente pavarësisht “vlerësimit” për të.

“Kryesisht është lidhur me punën time në fushën e politikës së jashtme. Ai është shprehur që i duhet një president që nuk merret fare me politikën e jashtme”, ka thënë ajo.

Ajo biles tha që Kurti “ia kishte punuar pas shpinës”, derisa e njëjta ka thënë se i është kërkuar të flas me opozitën për të siguruar votat, ndërsa ai po vendoste emra të tjerë për President pa e njoftuar.

Përveç çështjes së Presidentit. Osmani tregoi edhe të mirat që ia kishte bërë Kurtit.

Raportet mes Kurtit e Osmanit janë prishur dukshëm, pavarësisht se ata të dy bashkë në 2021-ën ishin optimistë për një të ardhme të suksesshme mes tyre.

Tani, Kosova ndodhet në mes të një situate të pakaluar më parë. Pasi Presidenti i Kosovës nuk u zgjodh dot deri më 5 mars kur edhe përfundoi afati kushtetues, Presidentja Vjosa Osmani e nënshkroi dekretin për shpërndarje të Kuvendit.

Këtë dekret, VV e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese e cila mori një vendim që deri më 31 mars të pezullohet ai vendim.

Nëse vendi do të shkoj në zgjedhje apo do të jepet një mundësi tjetër për zgjedhjen e Presidentit, pritet të kuptohet pas 31 marsit kur Gjykata Kushtetuese të merr vendim.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit