Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, përmes një postimi në Facebook, i ka uruar Kosovës 18 vjetorin e pavarësisë.
“Kjo është një ditë që kujton sakrificën, qëndresën dhe vendimin e një populli për të jetuar i lirë. Një rrugë e vështirë, por e drejtë, që çoi te shteti i Kosovës dhe te dinjiteti i qytetarëve të saj. Kosova sot është një realitet i pakthyeshëm. Me institucione të konsoliduara, me demokraci në zhvillim dhe me një orientim të qartë euroatlantik, ajo vazhdon të ecë përpara, hap pas hapi, me besim dhe përgjegjësi”, u shpreh Spiropali.
Tutje ajo tha se në këtë përvjetor, Shqipëria qëndron krah Kosovës si motër dhe si aleate, me përkushtim të plotë për sigurinë, zhvillimin dhe të ardhmen tonë europiane.
“Urime nga zemra për qytetarët e Kosovës dhe për të gjithë ata që e bënë të mundur këtë ditë. Gëzuar Pavarësinë”, thuhet tutje në njoftimin e saj.










