spot_img
spot_img
Monday, February 16, 2026
spot_img
spot_img

“Shumë kisha dhe xhami po braktisen dhe po rrënohen, asnjë ndërtim të mos u bëhet”, urdhri i Enver Hoxhës në 1967

Më 6 shkurt u mbushën rreth 60 vjet nga fjalimi i Enver Hoxhës që hapi si-parin e ateizmit në Shqipëri. Në këtë kuadër, revista “Zani i Naltë” ka publikuar një urdhër të Enver Hoxhës (me gjasë firmosur, por jo shkruar prej tij) dhe një raport informativ i gushtit të po këtij viti, që flet për përpjekjet e bëra kundër fesë, rezultatet dhe problemet. Duket e pabesueshme sesi regjimi ja doli që të likuidonte aq thjeshtë një prani mijëravjeçare përfaqësuar në këtë kohë nga 2169, objekte kulti nga të cilat 740 xhami, 608 kisha orthodokse e manastire, 157 katolike, 530 teqe, tyrbe, mekame etj.. Rezistenca ishte minimale, ndërkohë që religjioni duket se u la në baltë dhe nga grigja që kishte gjetur çati të re. Më poshtë dokumentet që kanë interes historik:

Urdhri i Enver Hoxhës

“Duke marrë parasysh se kohët e fundit në shumë rrethe është intensifikuar lufta kundër fesë, paragjykimeve e zakoneve fetare dhe me qëllim, që kjo luftë të bëhet sa më drejt, pa gabime dhe më me sukses, u pa e nevojshme të jepen orientimet e mëposhtme: Feja është opiumi i popujve. Këtë të vërtetë të madhe duhet të bëjmë çmos që ta kuptojë çdo njeri, edhe ata (dhe këta nuk janë pak), që janë të helmatisur e që duhet t’i ç’helmatisim. Kjo nuk është një punë e lehtë, por as edhe e pamundur.

Këtë luftë të madhe nuk duhet t’ia lëmë spontanitetit e të kënaqemi duke thënë se brezat e rinj do ta braktisin këtë opium, ose se feja dhe praktikat e saj ruajnë qenien e tyre vetëm tek plakat dhe tek pleqtë. Kjo nuk është ekzakte, këto mund të humbasin virulencën e tyre, vetëm në rast se i luftojmë e i demaskojmë, kurse ringjallen, propagandohen e zgjerohen në rast se i nënvleftësojmë.

Sigurisht feja ka të bëjë me botëkuptimet, me ndërgjegjen, por këto me shekuj, feja dhe klerikët jo vetëm i kanë kthyer në dogma filozofike, por për ta rrënjosur këtë dogmë animiste në ndërgjegjen e njerëzve, e kanë shoqëruar edhe me disiplina konkrete, me organizime të veçanta, e kanë lidhur me ngjarjet e jetës së njeriut. Çdo gjë feja është munduar ta lidhi me ndodhitë e jetës së njeriut dhe ka bërë që ky, çdo mendim, çdo veprim të tij ta lidhi me fenë, me besimin idealist, mistik etj.

Luftën tonë kundër fesë ne duhet ta drejtojmë qoftë kundër dogmës fetare vetë, kundër pikëpamjeve filozofike, idealiste e mistike të saj, ashtu edhe kundër disiplinave fetare, që kanë hyrë, deri në zakonet e përditshme të atyre që besojnë, bile edhe të atyre që nuk besojnë, por që i zbatojnë nganjëherë pa i ditur, pa bërë kujdes. Populli ynë, në përgjithësi, nuk është fetar në atë kuptimin, që janë shumë popuj të tjerë. Kjo është e vërtetë por prapë se prapë edhe ai diçka beson…!

Ne nuk u kemi lënë asnjë shkollë, qoftë edhe të ulët, për të nxjerrë klerikë të rinj dhe për t’u dhënë këtyre një edukatë të rregullt dhe të interpretuar të doktrinës së tyre fetare…! Kështu që klerikët e çdo besimi kanë shteruar dhe do të shterojnë edhe ca më shumë si kuadro. Kurse për sa i përket shtypit të librave, të dogmave të tyre, kjo ka vdekur me kohë për ta…

Pra, bazën materiale dhe propagandistike për shumëzimin e librave fetare e kemi zhdukur. Ne kemi zhdukur gjithashtu mundësinë e nxjerrjes së kuadrove. Tash është çështja t’u prishen kishat dhe xhamitë, të vetmet mjete kryesore ku klerikët grumbullojnë besimtarët për të mbajtur gjallë besimin, qoftë edhe në forma dekadente.

Prishja e kishave, xhamive, teqeve e manastireve, natyrisht, paraqitet më e vështirë, për arsye se nuk duhet shkuar në kundërshtim të drejtpërdrejtë me atë pjesë të popullit që beson.

Por mjaft prej tyre janë prishur, pa ngjallur asnjë reaksion, disa të tjerë janë prishur se kanë rënë, ka nga ato që janë kthyer në depo ose kanë mbetur pa hoxhë apo pa prift dhe praktikisht nuk funksionojnë. Në këto forma duhet të vazhdojmë ne për deri sa nuk funksionojnë.

Në këto forma duhet të vazhdojmë ne përderisa t’i rrafshojmë nga faqja e dheut tonë. Institucioneve fetare ne duhet t’u heqim, atje ku e kemi lënë diçka, të gjithë tokën, ndonjë ulli ose të ardhur tjetër që mund të kenë akoma kishat, xhamitë, etj.

Është interesante se në fshatin tonë nuk ka rezistencë për këto gjëra. Ky është si rezultat i punës ateiste, që ka bërë dhe bën partia, por edhe nga mungesa e hoxhallarëve dhe e priftërinjve në fshatra, nga mungesa e librave fetarë. Në përgjithësi, në fshatra çështja e besimit në fenë, mbahet në zakonet e jetës, në interpretimin pragmatik të tyre, por që nuk është as për ta nënvleftësuar, as për ta neglizhuar, pse prapë na dëmton shumë në zhvillimin dhe përparimin e vendit. Për t’i zhdukur praktikat fetare ne duhet t’i luftojmë ato sidomos me frymën revolucionare dhe patriotike.

Lufta kundër feve, veçanërisht në vendin tonë, ku nuk ka mundur të zhvillohet në forma filozofike të stërholluara, për arsye të mungesës së një baze klerikësh të zhvilluar e me kulturë, duhet të bëhet me këmbëngulje në zakonet, në traditat, në mënyrën e jetesës, në interpretimin e fenomeneve, pse nëpërmjet kësaj rruge klerikët kanë mundur për shekuj me radhë te fusin helmin e fesë dhe këtë helm ta përziejmë me gëzimet, me hidhërimet dhe me shfaqjet e përditshme të jetës së njeriut.

Neve pra na bie detyra që të studiojmë me imtësi, ku dhe qysh shfaqet ky helm, në ç’forma, ç’trajta ka marrë gjatë zhvillimit, ç’praktika zbatohen, si zbatohen e si kamuflohen ato.

Këto ne duhet t’i analizojmë që kur lind i vogli, i cili pagëzohet, bëhet synet etj., që kur martohet njeriu, ngjarje kjo që lidhet me shumë zakone në të cilat ka depërtuar zakoni kishtar si krimbi brenda mollës së kuqe. Duke i njohur këto, këtej duhet të fillojë lufta e studiuar sistematike ideologjike, politike, organizative, pa pushim, pa pushim.

Lufta me fenë është mjaft e koklavitur, prandaj kush nuk armatoset mirë kundër saj, mund të mos ketë rezultatet që dëshirojmë. Ne i kemi të gjitha mundësitë dhe terreni ynë paraqitet i favorshëm që këtë luftë ta kryejmë me sukses.

Një armë historike kundër fesë dhe klerikëve reaksionarë është edhe fakti se feja myslimane ka qenë ideologjia e pushtuesve turq, feja ortodokse ideologjia e shovinistëve grekë që pushtonin në kohët e kaluara vendin tonë dhe feja katolike me qendër Vatikanin ka qenë ideologjia e pushtuesve italianë, e imperializmit austriak dhe e fashizmit italian.

Ndjenjat patriotike të popullit tonë dhe lufta e tij për t’u çliruar nga zgjedha e të huajve, në mos drejtpërsëdrejti, gjatë shekujve është ndeshur edhe me ideologjinë fetare të pushtuesve dhe me ata klerikë reaksionarë të çdo besimi, që u shërbenin atyre. Në këtë fakt historik ne nuk mund të mos shohim edhe një nga arsyet që populli ynë nuk është edhe aq fanatik e i lidhur me fetë, pse këto, në parim dhe në fakt, kanë qenë në kundërshtim me idenë e çlirimit kombëtar.

Duke pasur parasysh të gjitha çka thamë më lart, ne si komunistë dhe ateistë duhet të jemi edhe realistë. Me gjithë propagandën tonë të organizuar kundër fesë, riteve, dogmave, institucioneve fetare dhe klerikëve profesionistë, të kemi vazhdimisht parasysh që të mos futemi në luftë të hapët me njerëzit e popullit, sepse në popull do të ketë edhe njerëz të ndershëm, të lidhur me partinë dhe patriotë të flaktë, që do të ruajnë në ndërgjegjen e tyre edhe për shumë kohë, mundet edhe deri sa të vdesin, besimet e tyre.

Puna me ta do të jete një përpjekje bindjeje e vazhdueshme dhe me durim të madh, të cilën të mos e lejojmë të kthehet në ofenduese. Me këta njerëz partia duhet të sillet, si të thuash, si doktori i mirë që bën të gjitha përpjekjet për ta shëruar të sëmurin, për ta rikthyer këtë në gëzimet e jetës.

Besimet e kota fetare nuk do t’i gjejmë vetëm te klerikët. Këta janë ata njerëz profesionistë që i propagandojnë, që i ruajnë të gjalla, që bëjnë spekulime dhe mashtrime të poshtra, por ato ekzistojnë edhe në popull. Prandaj, pa a ngadalësuar për asnjë çast propagandën kundër fesë, të kemi kurdoherë parasysh se kemi të bëjmë me popullin. Veprimet e pamatura, ekzaltuese, duhet të evitohen. Çdo veprimi i duhet përgatitur me kujdes terreni politik.

Të zaptosh xhamitë dhe kishat me fushatë dhe me një urdhër, është punë e lehtë, por duhet menduar edhe për pasojat në popull. Pasojat e këqija evitohen duke përgatitur me kujdes popullin, që ai ta kuptojë këtë kotësi, ta zhdukë fenë nga zakonet e jetës, të braktisë me bindje praktikat e saj. Atëherë për të s’ka as rëndësinë më të vogël xhamia apo kisha, prifti ose hoxha. Kjo është një punë më e rëndë, por më e sigurt.

Shumë kisha dhe xhami po braktisen dhe po rrënohen. Asnjë ndërtim të mos u bëhet. Disa mund të kthehen në vepra muze, në qoftë se janë të tilla, disa që do populli, të bëhen depo, të mos hezitohet të merren, e kështu me radhë, jo me dhunë, me bujë dhe pa marrë aprovimin e popullit, i cili duhet përgatitur shpirtërisht dhe politikisht…! /Memorie.al

/GazetaKosova/

- MARKETING - Brusnik (Vushtrri)spot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img
- MARKETING - Epoxy Amerikanspot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit