Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka shprehur se ish-krerët e UÇK-së po përballen me sfidën e fundit, të cilën ajo beson se do ta kalojnë me sukses.
Në një postim në Facebook, Jahjaga theksoi se Kosova do ta mundë çdo përpjekje për të njollosur vendin, individët dhe luftën e drejtë dhe heroike të UÇK-së.
“Republika e Kosovës është bërë shtet falë kontributit të paepur të qytetarëve të saj, si dhe në besëlidhje me miqtë tanë perëndimorë. Detyrim i kësaj besëlidhjeje është mbrojtja dhe ruajtja e luftës sonë të pastër, si dhe e të drejtës sonë për të qenë shtet. Udhëheqësit e Kosovës, të cilët aktualisht ndodhen në Hagë, kanë kaluar sfida edhe më të vështira. Ndryshe nga të tjerët në rajon, ata, duke besuar në drejtësinë dhe pastërtinë e luftës për lirinë e vendit, asnjëherë nuk iu shmangën përballjes me drejtësinë ndërkombëtare”.
“Kjo është sfida e fundit nga e cila jam e bindur se do të ngadhënjejmë ndaj çdo përpjekjeje për të na njollosur si vend, ata si individë, si dhe luftën tonë të drejtë e heroike”, ka shkruar ajo.










