Lidhur me thirrjet në rrjetet sociale ku përdorues serbë i kanë bërë apel Iranit për ta sulmuar bazën amerikane Camp Bondsteel, ka folur për edhe eksperti i sigurisë Bedri Elezi
Elezi e cilëson këtë zhvillim si lajm të keq në aspektin politik dhe shoqëror, pasi sipas tij reflekton qëndrimet dhe dëshirat e një pjese të komunitetit serb në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosovën. Megjithatë, ai vlerëson se në aspektin ushtarak nuk ekziston rrezik real për një sulm të tillë.
‘’Lidhur me thirrjet e serbëve që i kanë bërë Iranit që të sulmojë Bondsteel, është një lajm i keq në kuptimin e asaj se çfarë komuniteti serb dëshiron .Ne jemi të vetëdijshëm që Irani nuk ka kapacitet ushtarak që të sulmojë Bondesteelin’’, tha Elezi.
Sipas tij, Irani aktualisht nuk ka kapacitete operative për të ndërmarrë një sulm ndaj Bondsteel-it, duke pasur parasysh goditjet që i janë shkaktuar infrastrukturës së tij ushtarake nga SHBA-të dhe aleatët e saj. Në këtë kuadër, ai thotë se baza amerikane dhe prezenca e NATO-s në Kosovë mbeten të sigurta.
‘’ Ne jemi të vetëdijshëm që Irani nuk ka kapacitet ushtarak që të sulmojë Bondesteelin sepse SHBA-te dhe aleatët e saj kanë arritur që të shkatërrojnë një pjesë të madhe ushtarake të Iranit’’, thotë Elezi.
Elezi rikujton se Kosova është nën organizmin e sigurisë ndërkombëtare, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, dhe se aktualisht nuk ka indikacione për ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj territorit të saj apo ndaj bazave të NATO-s.
‘’ Kosova fatmirësisht është nën organizimin e sigurisë sipas rezolutës së 1244 nga OKB është e sigurte dhe nuk ka ndonjë rrezik për Kosovën e as bazat e NATO-s në Kosovë e sidomos kur duket se Irani tashmë gati është dorëzuar ‘’, deklaron Elezi.
Megjithatë, ai paralajmëron për dy rreziqe potenciale që mund të prekin Kosovën si pasojë e tensioneve ndërkombëtare: sigurinë ekonomike dhe sigurinë kibernetike. Sipas tij, zhvillimet gjeopolitike tashmë kanë filluar të reflektohen në rritjen e çmimeve, përfshirë shtrenjtimin e derivateve, ndërsa ekziston edhe mundësia e sulmeve kibernetike, përfshirë ndaj sistemit bankar, si forma indirekte të ndikimit.
‘’ Unë shoh dy probleme siguria ekonominë sepse do ketë impakt në rritje të çmimeve veçse kemi parë shtrenjtimin e derivateve dhe po ashtu rreziku nga sulmet kibernetike dhe ka dyshime që Irani mund ta bëjë këtë si dhe sistemin bankar, këto janë dy rreziqe e vetme që mund ti ketë Kosova’’, tha Elezi.








