Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se reshjet e pandërprera që nga 14 shkurti kanë shkaktuar rritje të niveleve të disa lumenjve në vend, duke shtuar rrezikun për vërshime lokale.
Sipas institutit, rritje është shënuar në Pellgun e Lepencit dhe të Moravës së Binçës. Lumi Lepenc në pikëmatjen në Hani i Elezit ka arritur nivelin 2.93 metra, ndërsa Morava e Binçës në Viti ka shkuar në 1.33 metra. Po ashtu, lumi Nerodime në Kaçanik është në ngritje me 0.82 metra.
Ndërkohë, lumenjtë e tjerë në vend raportohen në gjendje normale dhe pa rrezik për përmbytje. Sasia e reshjeve ka arritur 24.8 mm në Brezovicë dhe 36.8 mm në Hani të Elezit.










